SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama për protestën: Absurde, udhëhiqet nga një “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe

– Kryeministri Edi Rama e cilësi si protestë absurde, protestën e thirrur nga Sali Berisha më 6 dhjetor.

I pyetur nga gazetarët në një bashkëbisedim online me qytetarët dhe mediet lidhur me protestën e thirrur nga PD më 6 dhjetor dhe nëse PS ka bërë ndonjë negociata për të mos e zhvilluar protestën, Rama u shpreh se, “kjo fjala Partia Demokratike është një fjalë që sot ka më shumë se sa një kuptim. Kështu që janë pjesë të një force që mban ende emrin Partia Demokratike por nuk është një forcë, është një forcë e shpërbërë dhe nga ana tjetër, unë nuk shoh asnjë arsye në botë për të negociuar me askënd, sepse siç e thashë, perimetri i sigurisë së samiteve ndërkombëtare nuk negociohet me askënd, askund”.

“Ndodh që forca të caktuara, organizata të caktuara, grupime të caktuara që  janë kundër këtyre samiteve, të bëjnë protesta. Nuk ndodh, nuk ka ndodhur ndonjëherë e nuk ka se si të ndodh që të bëhen protesta pro samiteve. Protesta kundër, po, ndodh, por ato zhvillohen jashtë perimetrit të sigurisë në të gjitha rastet, në të gjitha vendet, kudo qoftë e kurdo qoftë”, tha ai.

“Kështu që unë nuk e shoh fare këtë si çështje midis Partisë Socialiste jo e jo, por qeverisë dhe një pjese të të ashtuquajturës opozitë. Unë këtë e shikoj si një çështje sigurie që i takon organeve përkatëse në bashkëpunim me strukturat përkatëse, të angazhuara nga organizatorët”, theksoi Rama.

“Këtë samit nuk e organizon Shqipëria. Shqipëria është vendi mikpritës dhe Shqipëria ka detyrën të marrë të gjitha masat organizative, për ti garantuar organizatorëve dhe organizatori i këtij samiti është Bashkimi Evropian, është Këshilli Evropian, është Presidenti i Këshillit Evropian, që ky samit të ketë mbarëvajtje të suksesshme sikundër dhe do ta ketë”, u shpreh Rama.

“Tani, çfarë ka këtu për të negociuar dhe me kë? Për të mos hyrë pastaj në vlerësime të tjera që kanë të bëjnë me këtë protestë absurde, të jemi realist. Kjo është një protestë absurde që nuk ka asnjë lidhje me asgjë tjetër përveçse me vazhdimin e një misioni që tanimë, për ata që duan të shikojnë është një mision i qartë, i zbuluar në sytë e të gjithëve. Është e njëjta forcë e cila është paguar me para ruse, për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi e ky është një fakt. Është e njëjta forcë e cila ka bashkuar votën me partinë e Vladimir Putinit për të ngritur akuzën më monstruoze në historinë e Këshillit të Europës ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke njollosur jo vetëm luftën çlirimtare por duke njollosur Kosovën dhe Shqipërinë dhe është e njëjta forcë e cila udhëhiqet nga një individ i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe për korrupsion madhor, minim të demokracisë e të gjitha të zezat e mundshme e të imagjinueshme që mund të përmblidhen në një copë letër. Kështu që përtej këtij vlerësimi, që është një vlerësim i njohur dhe i ditur, këtu nuk jemi fare në kushtet e pasojave të vlerësimit”, tha Rama.

“Këtu jemi në kushtet që siguria e samitit nuk negociohet me askënd dhe jam i bindur që askush nuk do ta provojë që ta thyejë perimetrin e sigurisë, jam i sigurt për këtë, se është pa sens, pa kuptim, se është një çmenduri e një niveli që edhe çmendurakëve për të cilët flasim, nuk u shkon”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

“Pa hyrë pastaj në atë pjesën më të tmerrshme të gjithë kësaj që është njollosja e qëllimshme e një dite, e një ngjarje, për të tërhequr vëmendjen për halle personale e nga ana tjetër, për të mos e lënë Shqipërinë që të lulëzojë atë ditë në të gjitha mediet ndërkombëtare por patjetër të ketë nga pas dhe një ferrë, që po, ishte ky samiti por ishin dhe ca të tjerë që protestonin për narkoshtetin. Domethënë mblidhet gjithë BE-ja në një narkoshtet. Një çmenduri”, u shpreh Rama.///

error:
%d bloggers like this: