SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama: Rublat vazhdojnë të jenë në lojë në politikën shqiptare

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë në emisionin “Real Story” se, në raportin e Shërbimit Sekret Amerikan doli që paratë ruse, janë hedhur për të rrëzuar qeverinë socialiste.

Duke folur për financimin e PD nga paratë ruse, Rama u shpreh se, “sa i përket pjesës së rublave, kjo nuk është diçka që e them unë. Unë e thosha bashkë me të tjerë kur kjo doli në media. Dhe kur përgjigja u dha, jo vetëm nga aleanca e rublave në Partinë Demokratike, por edhe nga analistë dhe opinionistë të rreshtuar në të gjithë frontin e urrejtjes profesionale që kjo ishte një sajesë e imja, ishte një lobim i Soros-it etj”.

“Papritur doli në raportin e Shërbimit Sekret Amerikan që Kremlini, paratë ruse, janë hedhur për të rrëzuar qeverinë socialiste. Gjysmë milioni dollarë për çfarë i jep Kremlini për një parti politike shqiptare, që është partia alternative e pushtetit? Për çfarë? Për të sjellë në pushtet një parti që i shërben më mirë NATO-s? Për të sjellë në pushtet një parti që i mbron më mirë interesat e partneriteteve dhe aleancave strategjike të Shqipërisë? Unë nuk besoj”, theksoi Rama.

Dhe për më tepër, shtoi kreu i qeverisë, “dhe mënyra sesi është administruar më pas kjo gjë, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit, duke thënë jo unë s’dija jo ai s’dinte gjë, jo audit etj. Nuk bënë asgjë tjetër veçse konfirmon atë që po ju them që rublat vazhdojnë të jenë në lojë në politikën shqiptare. Dhe jo vetëm politikën shqiptare. Unë jam i bindur që më herët sesa vonë shqiptarët do ta mësojnë këtë gjë”.

“Unë shqiptarëve iu them këtë, që askush nuk iu kërkon ta doni me zor Edi Ramën apo të votoni me zor për PS, apo të bëheni me zor të vetëdijshëm që kjo është e vetmja forcë që mund ta çojë këtë vend përpara, por ama gjeni rrugë tjetër, zgjidhni të tjerë. Po s’mund të jeni ju, s’mund të jetë një shqiptar që ka respekt për veten, që ka respekt për të gjithë martirët e luftës apo të persekutimit pas luftës, s’mund të jetë një shqiptar që ka respekt për flamurin e vet kombëtar dhe për gjithçka që Shqipëria përfaqëson, një ndjekës i personazheve të tilla nga një person i shpallur non grata që SHBA e shpalli non grata. Një ish-Presidenti me të cilin kanë pasur bashkëpunim, një ish-kryeministër me të cilin kanë pasur bashkëpunim. Domethënë që është diçka shumë më e rëndë sesa ajo që duket dhe sesa ajo që mendohet”.///

error:
%d bloggers like this: