SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Sulmi fizik ndaj ish-Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë protestës së sotme të opozitës u dënua ashpërsisht nga drejtuesit shtetërorë dhe ata të opozitës.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dënoi ashpër sulmin fizik të ndodhur ndaj deputetit të Kuvendit Sali Berisha, ish-President dhe ish-Kryeministër i Republikës.

“Presidenti Begaj i konsideron këto akte të papranueshme dhe që bien ndesh me parimet e demokracisë dhe zhvillimin e protestave paqësore”, thuhet në njoftimin e Institucionit të Presidentit të Republikës..

Kreu i Shtetit inkurajon autoritetet të hetojnë këtë rast dhune dhe të zbardhin sa më shpejt dinamikat e ngjarjes.

“Liria e fjalës dhe tubimeve paqësore janë e drejtë kushtetuese dhe si të tilla duhet të garantohen dhe mbrohen”, thuhet në reagim.

Rama: Dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë mjet

Kryeministri Edi Rama dënoi sot pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme.

Përmes një deklarate për shtyp, Rama u shpreh se “dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit”.

Basha: Ngjarja duhet të zbardhet plotësisht 

Për incidentin reagoi edhe ish-kreu i PD, Lulzim Basha, i cili nëpërmjet një postimi në Twitter, dënoi ashpërsisht sulmin fizik ndaj Berishës.

“Kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht. Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Ajo është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci funksionale dhe me korrupsion të pandëshkuar”, theksoi Basha.

Alibeaj: Kultura e dhunës duhet përjashtuar njëherë e përgjithmonë

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj në një reagim në Twitter u shpreh se dënon me forcë aktin e sotëm të dhunës ndaj Sali Berishës.

“Sulmi ndaj çdo politikani, e ndaj çdo individi, është një akt i dënueshëm dhe i pavend në një shtet funksional demokratik. Incidenti i sotëm duhet të zbardhet urgjentisht nga organet përgjegjëse ndërsa kultura e dhunës duhet përjashtuar njëherë e përgjithmonë nga zhvillimet e politikës në Shqipëri”, u shpreh Alibeaj. ///

error:
%d bloggers like this: