SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Deputeti i PS, Alket Hyseni, i cili ishte edhe kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, deklaroi te merkuren se, Presidentit të Republikës i ndalohet të marrë pjesë në fushatë zgjedhore, i ndalohet të marrë pjesë në komente politike, i ndalohet të marrë kah politikë në favor të një apo disa palëve”.

Në një intervistë televizive, Hyseni u shpreh se “nuk mund të themi ka apo s’ka krime, por nuk ishte pjesë e hetimit të Komisionit Hetimor hetimi i krimeve”.

“Sepse aty ka edhe elementë të cilët organet e hetimit mund t’i shqyrtojnë edhe kryesisht sikurse janë dy elementë thirrjet për dhunë dhe nxitja e urrejtjes ndaj grupeve të caktuara të popullsisë”, tha ai.

Sa i takon objektit të hetimit të Komisionit, Hyseni tha se, “kishte të bënte me shkeljet e rënda të Kushtetutës. Komisioni hetimor ka paraqitur një raport të detajuar të arsyetuar dhe të shoqëruar me prova konkrete të formave të ndryshme, të cilat janë shkresore, pamje filmike, postime etj, komunikime me institucione, të cilat faktojnë katërcipërisht atë që opinioni publik tashmë e ka shumë të qartë që Presidenti i Republikës ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës”.

“Presidenti të Republikës i ndalohet të marrë pjesë në fushatë zgjedhore. I ndalohet të marrë pjesë në komente politike. I ndalohet të marrë kah politikë në favor të një apo disa palëve dhe përkundrazi nga ana tjetër të sulmojë, denigrojë, fyejë, etiketojë një palë tjetër politike”, theksoi Hyseni.

Ai shtoi se, “në këto kushte kemi një vendim të ngjashëm. Është vendimi i një prej vendeve më demokratike në botë që është Republika e Koresë së Jugut e cila ka shqyrtuar një rast të ngjashëm totalisht me Presidentin e vendit të vet. Gjykata Kushtetuese e atij vendi kur shqyrtonte këtë çështje ka konstatuar se pjesëmarrja e Presidentit në fushatë elektorale është shkelje e rëndë e Kushtetutës”.

“Qëllimi i Presidentit ka qenë një qëllim i mirëfilltë politik për të dëmtuar mazhorancën dhe grupe të tjera politike dhe për të favorizuar PD-në dhe LSI-në dhe personalisht për të fuqizuar Presidentin si figurë politike. Ky ka qenë i vetmi qëllim i faktuar nga Komisioni. Kjo është faktuar me veprimet, me deklaratat, me konferencat për shtyp, me postimet e tij, të cilat janë të pazakonta në historinë e pluralizmit shqiptar. Por ju garantoj që janë të pazakonta dhe në historitë demokratike të vendeve më të zhvilluara”, nënvizoi Hyseni.

Ai u shpreh se, “ka raste në Europë. Lituania ka shkarkuar Presidentin e vendit të vet. Ka raste të tjera kur kanë nisur procedurat, por për arsye të tjera janë lënë përgjysmë”.

I pyetur se kur do të vendosë Gjykata Kushtetuese, Hyseni tha se, “në gjykimin tim Gjykata Kushtetuese nuk ka një afat konkret sepse përsa i takon shqyrtimit të procedurës Presidenti i Republikës ka parashikime në tre nene të posaçme në ligjin specifik të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, por referuar parimit të përgjithshëm brenda 3 muajve çdo kërkesë duhet të shqyrtohet. Nga momenti i depozitimit të kërkesës brenda 3 muajve Gjykata Kushtetuese duhet të kalojë në seancë dhe të shqyrtojë kërkesën”.

I pyetur nëse Gjykata Kushtetuese vendos brenda muajit për largim të Presidentit ky parlament duhet ta zgjedhë Presidentin e ri, Hyseni tha se “ ky parlament fillon procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri sepse Kushtetuta përcakton afatin që brenda 10 ditëve fillon procesi pra nuk të lejon të gjykosh as me moral, as politikisht. Kur jemi në një proces Kushtetues. Ky proces është strikt Kushtetues sepse hapat janë të përcaktuara dhe të kushtëzuara dhe nuk të lejojnë që ti të ndërtosh alternativa politike, as opinione politike aq më pak morale”. ///

%d bloggers like this: