SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti priti sot në një takim homologen greke, Lina Mendoni, e cila ndodhet në Tiranë në kuadër të Javës së Kulturës së Greqisë. Margariti dhe Mendoni biseduan mbi zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore. Në këtë kuadër u bë edhe nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore.

Margariti tha se memorandumi i mirëkuptimit parashikon realizimin e projekteve të përbashkëta të kërkimit dhe studimit në fushën e arkeologjisë, restaurimit, konservimit, muzeologjisë; shkëmbimit të ekspertëve dhe përvojave më të mira në këtë fushë. “Në vijim të takimeve të mëparshme diskutuam mbi zgjerimin e bashkëpunimeve tona në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore, si dy vende me një pasuri të jashtëzakonshme dhe që kulturën e shohin si një faktor paqeje dhe të afrimit mes popujve”, tha Margariti.

Duke folur për Javët Ndërkombëtare të Kulturës, Margariti tha se është një nismë që lindi si nevojë e rikrijimit të lidhjeve miqësore mes shumë shtetesh, jo për të celebruar thjeshtë miqësinë e shkuar, por për të ndërtuar raporte të reja bashkëpunimi. “Bashkëpunimi ndërinstitucional është në fokus të kësaj marrëveshjeje dhe kjo nuk do të mbetet thjesht si marrëveshje ombrellë, por diskutuam për të gjithë hapat e mëtejshëm“, deklaroi ajo. Puna ka filluar, sipas Margaritit, me Institutin e Trashëgimisë Kulturore.

“Ajo çfarë diskutuam gjerësisht është si të vazhdojmë sfidat tona dhe të qasemi më shumë drejt dixhitales dhe më tepër bashkëpunim në pjesën e edukimit në fushën e artit dhe kulturës. Javët e Kulturës lindën pikërisht për të krijuar këto ura bashkëpunimi në Shqipëri dhe për të diskutuar sfidat e ardhshme, këtu në Shqipëri“, u shpreh ministrja.Por, vuri në dukje Margariti, nuk është vetëm kjo, por edhe celebrimi i të bukurës së secilit shtet që vjen e promovon kulturën e tij.

Sipas Margaritit, Javët Ndërkombëtare të Kulturës do të vijojnë çdo vit. /atsh///

error:
%d bloggers like this: