SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Skandali i korrupsionit në Parlamentin Evropian, shkarkohet zëvendës presidentja

Parlamenti Evropian votoi sot për shkarkimin nga detyra të zëvendës presidentes se Parlamentit, Eva Kaili, përfaqësuese e Greqisë, e cila dyshohet të jetë përfshirë në një skandal të madh korrupsioni që ka goditur besueshmërinë e organit ligjvënës të bllokut evropian. Në fundjavë zonja Kaili u arrestua së bashku me tre zyrtarë të tjerë evropianë dhe ndaj tyre rëndojnë akuza për pjesëmarrje në grup kriminal dhe pastrim parash. Autoritetet po hetojnë rreth dyshimeve se zyrtarë nga Katari kanë ofruar para në këmbim të favoreve politike, akuza që Doha i ka hedhur poshtë si të pavërteta. Deri tani janë kryer më shumë se 20 bastisje, kryesisht në Belgjikë, por edhe në Itali.

Deputetët e Parlamentit Evropian dënuan skandalin e korrupsionit që ka tronditur organin legjislativ, teksa janë mbledhur në Strasburg për një javë seancash plenare. Gjatë fundjavës prokurorët belgë ngritën akuza ndaj katër personave për pjesëmarrje në grup kriminal dhe pastrim parash. Ata po hetojnë rreth përpjekjeve për të siguruar ndikim në Parlamentin Evropian përmes ryshfetit.

Të martën parlamenti votoi për shkarkimin nga detyra të zëvendës-presidentes së Parliamentit Evropian, 44 vjeçares Eva Kaili, përfaqësuese e Greqisë. Mbi zhvillimet reagoi dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Akuzat kundër zëvendës-presidentes së Parlamentit Evropian janë shqetësuese dhe shumë serioze. Kjo lidhet me besimin e njerëzve tek institucionet tona. Dhe këtij besimi duhet t’i përgjigjemi me standardet më të larta të pavarësisë dhe integritetit”, tha ajo.

Prokurorët belgë kanë thanë se një vend i Gjirit, dyshohet se u ka ofruar para apo dhurata, zyrtarëve të parlamentit në këmbim të favoreve politike. Ata nuk kanë pranuar të thonë se për cilin vend bëhet fjalë, por anëtarë të Parlamentit Evropian dhe disa media belge i kanë lidhur hetimet me Katarin, vendi ku aktualisht po mbahet Kupa e Botës në futboll. Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit ka hedhur poshtë akuzat se zyrtarë të saj janë përfshirë në veprime të paligjshme. Nga ana tjetër deputetet e Parlamentit Evropian kërkuan zbardhjen sa më parë të kësaj çështjeje.

Jemi të habitur. Akuzat nuk janë vërtetuar ende nga drejtësia, por gjithsesi të dish që kolegë të caktuar, pasurohen personalisht për të mbështetur interesat e një fuqie të tillë apo të huaj, kjo është padyshim diçka që na trondit të gjithëve. Nuk është lajm i mirë të dëgjosh se kolegët dyshohen për korrupsion”, tha Philippe Lambert, Bashkëpresident i grupit të të Gjelbërve dhe Aleancës së Lirë Evropiane.

Sigurisht që institucionet evropiane duhet të hedhin dritë mbi praktikat që nuk kufizohen vetëm në këtë rast. Ne kemi propozuar tashmë një komision hetimor i cili duhet të analizojë përgjegjësitë politike dhe gjithë rrjetin e OJQ-ve, e shoqatave përreth institucioneve evropiane”, thotë Marco Zanni, Kryetar i Grupit për Identitet e Demokraci në Parlamentin Evropian.

Po mendoj në fakt për miliona qytetarë të BE-së që aktualisht përballen me vështirësi, njerëz që rrinë zgjuar natën, të cilët nuk arrijnë të paguajnë faturat, që nuk dinë si ta kalojnë muajin. Mendoj se kjo na turpëron të gjithëve këtu në këtë parlament. Ky parlament, pas asaj që ndodhi, nuk mund të punojë si zakonisht. Duhet të jemi absolutisht të qartë, duhet të veprojmë“, thotë Terry Reintke, bashkëpresident i grupit të të Gjelbërve dhe Aleancës së Lirë Evropiane.

Mendoj se mund të themi shumë qartë se Parlamenti Evropian është kapur në skandalin më të rëndë të korrupsionit në historinë e tij. Katari ka blerë votat e kësaj asambleje për të mbuluar shfrytëzimin që po u bën punëtorëve migrantë apo rastet e vdekjeve mes atyre që u përdorën për të ndërtuat infrastrukturën për Kupën e Botës. Faktet janë tronditëse. Mbi një milion euro janë sekuestruar nga shtëpitë e të dyshuarve dhe zëvendës presidentja është pas hekurave. Integriteti i institucioneve tona është në rrezik. Dua të dërgojmë një mesazh shumë të qartë për Katarin, që ata nuk mund të blejnë eurodeputetë siç mund të blejnë klube futbolli“, thotë Manon Aubry Bashkëkryetare e grupit të majtë.

Si pjesë e hetimeve për ryshfet në këmbim të favore politike, autoritetet kanë kryer deri tani më shumë se 20 bastisje, kryesisht në Belgjikë, por edhe në Itali. Policia e Belgjikës njoftoi se kishte sekuestruar rreth 600,000 euro në para të thata, pajisje kompjuterike dhe telefona celularë. Greqia ngriu të hënën pasuritë e të dyshuarës kyç në këtë rast, Eva Kailit, e cila më parë ka qenë prezantuese lajmesh në një prej televizioneve greke. Zyra e zonjës Kaili nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Partia e saj në Greqi e pezulloi atë nga funksionet dhe po kështu edhe grupi i social-demokratëve në Parlamentin Evropian./VOA///

error:
%d bloggers like this: