SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Përplasja e një treni pasagjerësh me një tren mallrash në Greqinë veriore shkaktoi vdekjen e të paktën 43 personave dhe plagosjen e 85 të tjerëve, aksidenti më vdekjeprurës hekurudhor në historinë e vendit.-shkruan Zëri i Amerikës për tragjedinë.

Dy trenat u aksidentuan pranë qytetit Tempe, rreth 380 kilometra në veri të Athinës.

Ende nuk është i qartë shkaku i aksidentit, ndërsa autorietet njoftuan se kanë arrestuar kreun e stacionit lokal, përgjegjës për sinjalizim, nën dyshimet për pakujdesi. Shumica e viktimave besohet se janë studentë në të 20-at, që po ktheheshin në universitet pas pushimit.

Zyrtarët paralajmërojnë se numri i të vdekurve mund të rritet.

Gjithsej në trenin e pasagjerëve ishin 350 udhëtarë, që po shkonin drejt veriut, nga Athina në Selanik, ndërsa treni i mallrave po shkonte në jug, nga Selaniku në drejtim të qytetit të Larisës.

Të paktën tre vagona pasagjerësh dolën nga shinat dhe u përfshinë nga flakët.

“Dëgjuam një zhurmë të madhe. Momenti i aksidentit ishte një makth. Pastaj na kapi paniku. Zjarri shpërtheu menjëherë, flakët u përhapën në të gjitha anët”, thotë Stergios Minenis, një pasagjer 28 vjeçar që i mbijetoi aksidentit. Autoritetet thanë se rreth 250 pasagjerë që i mbijetuan aksidentit pa lëndime ose me lëndime të lehta u dërguan me autobus për në Selanik.

25 persona u transportuan në spitalet e afërta me lëndime të rënda.

Ministri grek i Transportit, Kostas Karamanlis dha dorëheqje, duke thënë se ai po merr përgjegjësine për dështimet e vazhdueshme të vendit për të përmirësuar sistemin hekurudhor, që siç u shpreh ai nuk është i përshtatshëm për shekullin 21. Kreu i stacionit lokal hekurudhor, një 59 vjeçar i ngarkuar me përgjegjësinë e sinjalizimit, është arrestuar nën dyshimet se ishte i pakujdesshëm, tha një zyrtar i policisë, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbulojnë përse dy trenat ishin në të njëjtat shina në të njëjtën kohë.

I dyshuari ka mohuar akuzat duke thënë se aksidenti mund të ketë ndodhur si pasojë e një dështimi të mundshëm teknik.

Greqia ka një sistem të vjetëruar hekurudhor. Shumë trena lëvizin në shinat e njëjta, ndërsa në shumë zona mungojnë sistemet e sinjalizimit dhe kontrollit automatik. Ende nuk është konstatuar shkaktari i përplasjes.

“Është një tragjedi e paimagjinueshme. Sot mendjet tona janë me familjarët e viktimave. Një gjë mund të garantoj; ne do të zbulojmë shkaktarët e kësaj tragjedikj dhe do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që ajo të mos përsëritet”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjatë vizitës së tij në vend të ngjarjes.

Ministria e Jashtme shqiptare tha se bazuar në komunikimin e fundit që ambasada dhe konsullata shqiptare në Greqi kanë patur me autoritetet greke, “deri më tani nuk ka informacion për shtetas shqiptarë në radhët e viktimave të aksidentit hekurudhor”. “Pesë persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur, jashtë rrezikut për jetën që po trajtohen në kushte spitalore”, thuhet në një njoftim të ministrisë së Jashtme. Qeveria greke shpalli tre ditë zie kombëtare, nga e mërkura deri të premten, me flamujt e ulur në gjysmështizë në shenjë nderimi për viktimat e aksidentit./VOA///

error:
%d bloggers like this: