SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Turqia mbështetje Bujqësisë, Krifca: Investime në argjinatura dhe kanale kulluese

Nga Etleva XHAJANKA

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, e pranishme sot në Durrës në ceremoninë e dorëzimit të mjeteve të rënda, dhuratë nga qeveria e Turqisë, e vuri theksin se kjo ndihmë e shtetit turk vjen në një moment të rëndësishëm, kur në qarqet e Lezhës dhe Shkodrës përballemi me situatën e reshjeve intensive.

Në një deklaratë të përbashkët me ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, ministrja Krifca u shpreh se, “më vjen mirë të them që situata është nën kontroll dhe sot sipërfaqet e tokave në ujë po kullohen nëpërmjet hidrovorëve që janë në funksion të plotë”.

Ministrja shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje të qeverisë turke, teksa tha se investimet në ujitje, kullim e argjinatura janë prioritet i MBZHR-së.

“Nga viti 2013 ne kemi bërë investime të rëndësishme në vlerën e 23 miliardë lekëve duke rritur sipërfaqen e ujitshme në 270 mijë ha. Kemi ndërtuar 90 km argjinatura, ku 13 km argjinatura janë vetëm në qarkun e Shkodrës. Kemi gjithashtu investime edhe në pasurimin e flotës me ndikim të drejtpërdrejtë në mbështetjen e bujqësisë”, përfundoi Krifca.

Nga ana e tij ambasadori turk shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, teksa tha se “jam sot këtu për të theksuar faktin se edhe ne si Turqi do të vijojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë si mike, aleate dhe partnere strategjike”.

Me këtë rast, vuri në dukje ai, në këtë ceremoni simbolike në dorëzimin e këtyre mjeteve që i vijnë në ndihmë ministrisë në këtë periudhë me reshje të dendura, shpresojmë të minimizojmë sado pak problemet.

“Jemi të gatshëm t’ju mbështesim në këtë bashkëpunim të shkëlqyer mes dy vendeve. Populli turk do të vijojë të qëndrojë gjithmonë pranë popullit shqiptar në çdo situatë”, deklaroi ambasadori Atay.

Investimet në sistemin e ujitjes dhe kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet, të cilat rezultuan vendimtare në situatën më të fundit me reshjet intensive që përfshinë vendin, nuk janë ndalur për asnjë moment nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sektori mbart rëndësi të veçantë për fermerët të cilëve u vjen në ndihmë për ujitjen dhe kullimin e tokave në sezonet e prodhimit, por veçanërisht në momentet e situatës së reshjeve të dendura, duke mundësuar kullimin e shpejtë të ujit dhe mbajtjen e tokës në gjendje kultivimi./atsh///

error:
%d bloggers like this: