SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Ura e Vanës si kalaja e Rozafës, ditën ndërtohet, natën rrëzohet!

Nga Bardhyl BEJKO

Historia me urën e Vanës, ura që lidh fshatin Vanë, por edhe shume zona të tjera, si dhe tokat e mbjella me frutikulturë dhe bujtinat e përshtatura për turizëm ne rrugën nacionale Delvinë – Sarandë, është përmbysur për të disatën herë. Banorët,- thonë me shumë të drejtë se e kanë të vështirë, gati të pamundur të kalojnë lumin me këmbë apo me mjete te tjera,veçanërisht në kohë me shi kur lumi është i rrëmbyer nga prurjet e shumta, jo vetëm të ujit, po edhe inerte e mbetje të tjera. Në këto rrethana, banorët jane te detyruar ta kalojnë çdo ditë lumin për punët e tyre të përditshme, por edhe për te çuar fëmijët në shkollë që është jashtë fshatit. Ne këtë periudhe,lumi nuk ka ujë dhe banorët nga njeri breg ne tjetrin e kalojnë ate me këmbë, ndërkohë qe ata persona që kanë produkte dhe ngarkesa për te transportuar me automjete i kalojnë ato me traktor pasi ura është totalisht e dëmtuar dhe e pakalueshme dhe për rrjedhojë mjetet kalojnë drejt e në shtratin e lumit.

Banoret bëjnë apel për ta rregulluar urën qe lidh zonën me rrugët nacionale. Ata kërkojnë urgjentisht,të vihet dorë sot,sa ende nuk kane nisur shirat e lumi i Kalasës të vërshoj furishëm. Në këto rrethana nuk do të ketë asnjë mundësi për rregullimin e saj. Po cila është historia e kësaj ure e cila nuk ka as madhësinë as emrin e urave të njohura që nuk ngjanë as si simbolikë me “Urën me tri harqe” të tregimit të Kadares as famën e “Urës së Zogut” mbi lumin Mat apo ura të tjera simotra me madhësi dhe lartësi të cilat kanë jo vetëm histori dhe peshë në veprat inxhinjerike të vendit,po janë edhe monumente të traditës tonë kombëtare. Për to ka foto e piktura,legjenda e tregime për kohën e ndërtimit,projektet,projektuesit dhe inxhinierët që kanë drejtuar punimet dhe mënyrat e ndërtimit. Për këto ura,është folur dhe shkruar dhe si të tilla meritojnë vëmendje dhe jo pak prej tyre janë të regjistruara si trashëgimi inxhinjerike. Krahasuar me urat e njohura,ura e Vanës është e vogël, por u shërben punëve të mëdha. Është garanci e një komuniteti të tërë të cilët e kanë të domosdoshme se në mungesë të urës, banorët mbeten ishull i izoluar,duke u shndërruar të gjithë në Robinson Kruzo të kohës moderne, duke përjetuar ngujimin dhe bllokimin në pamundësi për të lëvizur lirisht për në qytetin e Sarandës apo Delvinës dhe në zonat përreth. Ç`ka ndodhur me Urën e Vanës, e cila shërben për të kaluar mbi lumin e Kalasës, i cili rrjedh në anën lindore të këtij fshati? Lumi i Kalasës në verë për arsye të bllokimit nga pronarët e hidrocentraleve në Bunecë, kthehet siç kemi theksuar më parë në Lumë i vdekur.

Po në dimër, ky lumë del nga shtrati dhe përmbyt toka dhe rrafshon të mbjella,erozioni pakëson trojet rreth fshatit. E vetmja nyje që lidh rrugën nacionale me fshatin Vanë, është pikërisht kjo urë e cila është vend kalimi i vetëm mbi lumë. Mungesa e urës, është burgosje për qindra banorë. Është izolim total. Pengim i lirisë së lëvizjes. Është një lloj dënimi për cilindo që kërkon të shkoj në shtëpi apo të dalë në qytet e zonën përreth,atje ku banorët zgjidhin problematikat e veta dhe kërkesat që u shtron jeta e përditshme. Kur ura mungon, banorët janë të detyruar të kalojnë mespërmes shtratit të lumit,lidhur dorë për dore për t`i shpëtuar rrymës së fuqishme. Po kjo nuk është e mundur gjithmonë. Varet sa janë prurjet. Sa më shumë ujë të rrjedh aq më e pamundur të kalohet lumi pasi të rrëmben për të të nxjerrë në bregun e detit Jon ose në lumin e rrëmbyeshëm të Bistricës. Mbi këtë lumë,ura është ndërtuar shumë herë. Gati në çdo një apo dy vite,është bërë një urë e re. Në të njëjtin vend me materiale të njëjta, teknologji të përafërt, herë urë hekuri dhe jo pak me këmbë e panele betoni. Sa herë është ndërtuar ura, banorët kanë menduar se problemi u zgjidh përfundimisht dhe ia hodhën të keqes. E bënë zap lumin dhe kurrë më nuk do provojnë frikën e izolimit! Po nuk ka ndodhur kështu.

Me urën mbi lumin e Kalasë që njihet si Ura e Vanës, përsëritet legjenda e Kalasë së Rozafës. Ditën ndërtohet, natën shembet. Për shqiptarët, legjenda e Rozafës është e njohur dhe sa herë një vepër fillon e nuk mbaron apo shkatërrohet ende pa mbaruar thonë: -U bë si Kalaja e Rozafës! Nuk ka shqiptarë që nuk e njeh këtë legjendë dhe nuk i referohet sa herë një vepër ndërtohet e shembet pa i rezistuar kohës. Kështu edhe me Urën e Vanës! Mund të jetë ndërtuar pesë herë në këto dhjetë vjet. Dhe po pesë herë është shembur! Pse ndodh kjo dhe i kujt është faji? A është vërtetë ura e Vanës e anatemuar dhe e destinuar të shembet sa herë ndërtohet? E keqja e kësaj ure nuk është as lumi as keqpërdorimi! Rrënjët e kësaj të keqeje duhen kërkuar në ndërtimin pa projekt dhe mungesën e kufizimit të mjeteve me tonazh të lartë. Në se ura do kalonte përmes projekteve dhe studimeve inxhinjerike e teknologjike, atëherë ura nuk do shembej pas një apo dy vitesh ndërtimi në mënyrë periodike. Ura të tjera, ku e ku më të goditura nga vërshimet e ujërave të lumenjve, kanë qëndruar me stoicizëm,duke mos lëvizur asnjë centimetër. Po janë ndërtuar sipas kërkesave inxhinjerike dhe studimeve të thelluara dhe jo sa për emergjencë dhe zgjidhje në emër të influencave elektorale. Buxheti i shtetit paguan.

Ura e Vanës ndërtohet, sa kthejnë shpinën ndërtuesit dhe japin garancinë inxhinierët, ura përmbyset. Është ndërtuar e shembur pesë here, ura e Vanës buzë rrugës nacionale, Sarandë- Delvinë,po ura më shpejt shembet sa ndërtohet. Dhe nuk shembet vetëm nga vërshimet, po edhe në ditë për diell, siç ndodhi edhe këto ditë, ku ura u shemb përsëri! Për herë të n-të, fshati Vanë, është riizoluar. Fshati është shndërruar në ishull të izoluar dhe çdo vaniot, është paksa, Robinson Kruzo, duke jetuar mungesën e lirisë së lëvizjes! Qytetarët me të drejt,pyesin: Shtet ku je? Kur do na ndërtosh urën e re?! Dhe kur vallë do marrin fund izolimet për ne?Është ura e vogël e Vanës, jo Kalaja e legjendës së Rozafës!///

error:
%d bloggers like this: