SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Urimi: Sikur në 2023 të shkruhej për shqiptarët, aq sa për Ramën & Berishën!

Nga Ben ANDONI

Nëse do të kishte një matës të enteve mediatikë për vendin që zë politika e përfaqësuar nga Berisha dhe Rama me lajmet për njerëzit e thjeshtë, atëherë disniveli do të ishte i dukshëm. Për njeriun e thjeshtë, heronjtë e përditshëm të pazë, për mbijetesën e fshatarit dhe cfilitjen e një familje të thjeshtë ka gjithnjë e më pak në media, kur mungon elementi i spektokularitetit, kurse për politikën qoftë dhe banale dhe tashmë edhe për shown hapësirë pa fund. Media i lë vend të gjitha mbroçkullave të politikanëve, atyre që e sfidojnë ligjin, patetikëve patriotë dhe sidomos atyre, por aspak të thjeshtëve, që nuk përbëjnë lajm me skamjen e tyre. Po, ka vend për kinse patriotët e Facebook dhe Instagram, që i kanë ‘hequr’ barrikadat në Veri të Kosovës dhe ata dhe ato që e sfidojnë policinë dhe pastaj dalin heronj. Dhe, kuptohet politikanët, që i kemi përballë dhe që media (ku shumë nga ne kontribuojnë) flet vetëm për luksin sesi jetojnë, si gatuajnë, si bëjnë paradën e veshjeve në parlament, si shkollojnë fëmijët jashtë me para që asnjëherë nuk i justifikojnë, çfarë makinash kanë dhe sa të zotë janë kur na marrin votat. Aman, për njerëzit e thjeshtë ka gjithnjë e më pak vend, kurse në rubrikat e gazetave dhe të TV-ve ka shumë pak vend për gazetarët e rretheve, që u lihet hapësirë (në ato pak organet e shkruara për përditmërinë) vetëm kur ka krime dhe kundravajtje. Dhe, vetëm kur ndodh që vritet dikush, dhunohet shtazërisht dikush tjetër, ndodh diku ndonjë krim makabër dhe kupton një zinxhir të tërë ngjarjesh sociale, për të cilat nuk është shkruar deri më atëherë, e që zbulojnë sesi mungojnë shërbimet e duhura sociale, pse njerëzit janë aq të rrëmujshëm, pse ka pak kujdes për ‘pakicat’: individët e thjeshtë që mezi e përballin jetën. “Pakica më e vogël në tokë është individi. Ata që mohojnë të drejtat individuale nuk mund të pretendojnë se janë mbrojtës të pakicave”, shkruante me cinizëm mendimtarja dhe shkrimtarja Ayn Rand.

Për njeriun e thjeshtë nuk ka më zë, nuk i përfaqëson askush, sepse deputetët sapo zgjidhen i harrojnë zonat e tyre, kurse politikanët e tjerë lokalë thjesht luftojnë se cili mund të përfitojë dhe sa do mund të përfitojë deri në fund të mandatit.

Çdo vit bëjmë të njëjtin urim: Ky vit edhe më i mirë për shqiptarët! Po për ta ndryshon fare pak sepse ndryshimi duhet të kalojë më parë te oreksi i politikanëve, që ditët e zgjedhjeve kujtohen aq shumë dhe shpesh me të thjeshtët apo në festa ndajnë ushqime dhe shkojnë “ulen gju më gju me popullin”. E mbase ky do ishte urimi i mirë për këtë vit: Sa mirë do të ishte sikur të kishte pak më shumë kohë për të thjeshtët në vend të politikanëve që vetëm të shesin ajër dhe të bindin t’u japësh votën?! ///

error:
%d bloggers like this: