SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Urrejtja nuk është instrumenti i duhur për të shpjeguar e për të ndryshuar politikën

Nga Lorenc VANGJELI

Festa e fundvitit është një moment kur edhe vetë hipokrizia nuk duket mysafir aq i lig sa e dëshmon zakonisht morali. Hapësira e pafundme e internetit, rrjeteve sociale dhe linjave telefonike, përmbytet nga një rrebesh i pandalshëm urimesh, ku secili shndërrohet në pak prift e pak hoxhë, që uron mirësi, mbarësi dhe sukses edhe në adresa ku gjatë gjithë ditëve të vitit ka dërguar lumenj mllefi, vreri, helmi dhe mallkimesh. Në një 24 orësh të vetëm duket se të gjithë janë shndërruar si me magji dhe se mbi tokë ka mbërritur mbretëria e paqes, harmonisë, respektit reciprok e bashkëjetesës mes të ndryshmish që ndjehen të barabartë përpara tryezës së festës.

Lehtësia e “Send to all” e mesazheve, i jep një përmasë të pafundme urimeve dhe tejkalon çdo kufi, bën bashkë të panjohur në dëshirën për mbarësi dhe shkëmben falas buzëqeshje edhe pa përdorur mimikën vetjake.
Edhe ky vit nuk bën diferencë. Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Nën shenjën e paqes së instaluar nën komandën e figurës fantastike të Plakut të Vitit të Ri, të gjithë ndjehen më të mirë dhe luftojnë që të zvogëlojnë sa të mundin kufijtë e të ligës. Edhe kur nuk e kuptojnë se janë duke bërë pikërisht një gjë të tillë.

Eshtë e vështirë të bëhet një bilanc për Shqipërinë e vitit 2022. Një palë thotë se e ka çuar Shqipërinë në Hënë, pala tjetër betohet se e ka zhytur vendin në një humnerë më të thellë se rruga deri në Hënë. Çdo kthim pas i kokës, bën që ky vit, si të tjerët mbas tij, të duket i pafundëm, me një mori ngjarjesh e personazhesh, që ngjajnë me njëri-tjetrin si pasqyra me pasqyrën, me një kaçurrel kacafytjesh dhe betejash të pandërprera, të mjafta për t’i shkuar deri në fund volumit të një libri historie. Por duke u ngritur mbi përditshmërinë e këtij viti, mbi pezmet e rënda dhe shpresat e zhgënjyera, mbi suksese të ndodhura vërtet apo llahtara të imagjinuara, duke ju shmangur jehonës shurdhuese të së përditshmes, edhe ky ishte një vit i zakonshëm. Një vit krejt i zakonshëm shqiptar. I mjaftë për të bërë më të moshuar secilin qytetar të atdheut, për të sjellë në jetë qytetarë të rinj të tij apo për të përcjellë të tjerë në ikjen pa kthim. Nga lartësia e 31 dhjetorit, 1 janari i këtij viti duket shumë larg, por në jetën e kombit, ai është më pak se një hapjembyllje sysh.

Ky çast sa një hapjembyllje sysh, është shenjuar si shumica dërmuese e këtyre viteve nga urrejtja. Nga urrejtja si instrument i mbijetesës dhe mjet i komunikimit. Dy shqiptarë i zënë njëri-tjetrit rrugën në semafor dhe e humbasin të dy të drejtën për të kaluar. Ata detyrohen të presin edhe më gjatë aty në rastin më të mirë, nëse ndërkohë nuk kanë hapur xhamat e makinave dhe janë ndeshur sikur të ndanin kufijtë e botës me njëri-tjetrin. Po ata të dy, grinden me rojen e spitalit që nuk i lejon të shohin të afërmin e tyre dhe janë gati ta bëjnë atë vetë për spital nëse nuk ju hap udhën. Nga ky skaj fundor i shoqërisë, në sallën e parlamentit, mbas paradës vanitoze të hyrjedaljes së baballarëve dhe mamallereve të kombit, duelet vazhdojnë si në filmat e Sergio Leones. Të gjitha palët e përdorin urrejtjen dhe tërbimin mbi të ndryshmin si mjetin e vetëm drejt suksesit. Dhe kjo është drama kombëtare që Shqipëria po përjeton që kur është bërë shtet dhe kur e qeverisin shqiptarët dhe që kur nuk mund të fajësojmë të huajt për dobësitë lokale.

Mirësjellja si dobësi dhe arroganca si autoritetet, gënjeshtra si art të mençurisht dhe e vërteta si ves budallenjsh, forca si argument dhe argument si pamjaftueshmëri, paraja e pistë si mjet për t’u shndërruar në elitë dhe mendja e lirë si mëkat i pafalshëm, varfëria si krim dhe prostitucioni banal si shenjtëri morali, mosmirënjohja si tempull dhe besnikëria si mall pa vlerë, dhe janë kokëpërmbysja dramatike e vlerave që po humbasin me shpejtësi, po shndërrojnë shoqërinë deri në pikën ku ajo të mos njohë më vetveten. Deri në pikën e moskthimit.
Fatmirësisht ka ende mundësi, ka shumë mundësi sepse ata që vendosin mbi fatin e kombit janë të përkohshëm dhe vetë kombi është i përhershëm përballë tyre.

Ndoshta vlen që në 24 orëshin që kapërcen shifrat në kalendar, secila qelizë e shoqërisë, në vend të mesazheve hipokrite “Send to All”, të mendojë një çast të vetëm se urrejtja nuk është instrumenti i duhur për të shndërruar këtë vend e për ta bërë më të mirëjetueshëm për të gjithë. Dhe sado paradoksale të duket, sado patetike të tingëllojë, dashuria është mjeti i vetëm për ndryshim, është shansi i vetëm që edhe vetë hipokrizia të mos jetë aq e ligë sa e quajnë librat e shenjtë. Dashuria vlen qoftë dhe për të bërë punë të vogla në këtë vend të munduar kaq shumë nga ligësia dhe makutëria. Duke nisur nga politika.///

error:
%d bloggers like this: