SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Vitori Çurri, Kaç Islami, ‘lotët’ e qenërisë dhe shkodrani Hasan Ulqinaku…!

Nga Kristo MERTIRI

“Një gazetar i njohur në Tiranë bëri një shkrim ku më quante bllokmen. Bile thoshte që Vitoria ka vila në Tiranë e Selanik. Dikush ia ka vënë në vesh. Por pse nxitohesh, more bir i nënës. Hajde e takoje Vitorinë sa është gjallë. E ke hapur portën si në shtëpinë tënde. Kur të vish, ato vilat që të kanë gënjyer, do të përmblidhen në këto 50 metra katrorë që ka shtëpia ime 100 vjecare.

Sa për milionat, nëna do të tregojë borderotë e pensionit të kooperativës. Kam edhe një shpërblim tjetër që mos të të gënjej, atë si ish pjesmarrëse e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare. Të dy bashkë, nuk i kalojnë 150 mijë lekë të vjetra (?!)”. A e dini kush foli kështu? Një grua minoritare me pantallona e xhaketë që dikur drejtoi kooperativën e Dropullit dhe “skuqte” shpesh fytyrat e mjaft burrave nëpër poste drejtuese atje, në rrethin e Gjirokastrës e më tej.

Arritjet e kohës në bujqësi e blegtori dhe në zgjidhjen e problemeve e të halleve të bashkëfshatarëve, me plot urtësi, mencuri e dhembshuri, e përhapën  dhe e ngritën natyrshëm emrin e saj në shoqëri. Jo rastësisht populli e zgjodhi disa herë edhe deputete në ish Kuvendin Popullor. Madje, arriti edhe Nënkryetare ! Vinte dhe kthehej nga Tirana me autobuzë e trena pasagjerësh. Asnjë veturë. Asnjë bodyguard. Asnjë favor e privilegj që nuk mund të krahasohet kurrsesi me kohën e sotme “demokratike”. Me rrogën e kooperativës. Idealiste e kulluar dhe e thjeshtë si ajo ! Model i ndershmërisë dhe i përkushtimit me zemër. Nuk kishte diploma e mastera, as spaleta e tituj shkencorë zhurmues, që mund t’i tundëte nëpër zyra partie e pushteti. Universitëti i jetës së saj foli e do të flasë shumë…

Mirëpo, unë prita 13 vjet (besoj jo vetëm unë) që dikush nga media ose nga qeveritë që vijnë e shkojnë, t’i kërkonin ndjesë publike asaj Heroine të gjallë të Punës e tepër të respektuar. Ajo nuk bëri as kërkesë padi dhe as shkeli nëpër shkallët e Prokurorisë. Ish partizania dinjitoze, u mjaftua me atë prononcimin e mësipërm të një kolegu ynë serioz, gjirokastrit. Një rrëfim i rrallë prej nëne shpirtmadhe e të pastër si bora në male. Pardje, një miku im ish minator në Memaliaj, i vuri kapak muhabetit për Vitorinë:”-Dëgjo mua, qenëria nuk kuis vetëm në politikë, por edhe në media. Portretit të saj, i morën të keqen !”…Ah, shtëpia e saj përdhese në Dervician, mund të jetë gremisur ! Vecse nuk gremiset kurrë nga kujtesa e njerëzve ajo kapedane dropullite e heshtur, që kur nisi ngjitjen në karrierë(pa asnjë shpërblim monetar), dinte fare pak shqip. Unë e kam njohur nga afër kur isha korrespondent profesionist për Jugun.

Fliste pak e punëmadhe. Një modesti e pamatë. Një foto e rrallë e fundviteve ’70 të shekullit që shkoi, tregon bukur e dridhshëm lidhjet e saj shpirtërore të forta me banorët e Dropullit. Iku në paqe me veten dhe bashkëfshatarët e dashur. Iku me plagë të mëdha për djalin dhe burrin e humbur. Iku përmes një vetmie e mjerimi “demokratik” të pamerituar ! Iku përmes një ndershmërie e korrektësie lapidar. Krahasojeni sot me politikanët ose deputetët e krekosur që mjaft prej tyre u duket vetja sikur kanë rënë nga qielli me pasuri të tundshme e të patundshme, me disa karta bankare, me vila e apartamente luksoze etj. Dhe kam bindjen time personale : po t’u vëzhgosh fletët e shërbimit nëpër Shqipëri(ato në financën e Kuvendit), vështirë të gjesh ndonjë që ka fjetur qoftë edhe një natë të vetme në fshat !).

Sa për gjurmët e asaj “qenërisë” në media, mbrëmë kujtova edhe prozatorin tonë të dashur e origjinal, Sotir Andoni, i cili me siguri do përsëriste shprehjen therëse : “M e të nuhatur erën e mprehtë të piperit, qentë ikin e nuk afrohen !”. Por pardje na “provokoi” e irritoi te “Brryli” edhe një militant pa sy e pa veshë. Vec të tjerave, renditi edhe emrin e Kac Islamit si bllokmen të ri me vilë në Farkë ose te Gjiri i Lalëzit. Madje e pagëzoi fët e fët si “oligark”. Më vonë kërkova numrin e tij të celularit dhe e nisa bisedën me pak humor të hidhur:

-I thuaj atij pizevengu t’a tregojë me gisht publikisht vilën time dhe unë do të deklaroj menjëherë zyrtarisht në Noteri, se do ta fal ty, Kristo, që je ende në apartament me kredi…Nuk po bëj shaka hic, të lutem ! Mua dhe familjen time na ke atje ku na ke lënë, te apartamenti në pallatin pranë Gardës së Republikës. Mos harro atë llafin e vjetër në Përmetin tënd: Qeni i mirë është baraz më 100 veshë…

Nuk po hyj e të vëzhgoj llagëmet e ndryshme erërënda të Polit(h)ikës, që nga kolltuku jo pak i lehtë i Kryetarit të parë të Parlamentit Pluralist e gjer më sot. Por t’i hedhësh padrejtësisht e djallëzisht mbi kurriz edhe këtë lloj balte të stisur qënce, është paradoksale. Sepse për Kacin është folur e shkruar shumë, me baltë e pa baltë. Por ky rast më intrigoi mjaft. Edhe për ata që hiqen e lëshojnë lotë krokodili gjoja si të majtë, por me pasuritë e tyre janë larg, mjaft larg njerëzve të thjeshtë. “Shpesh për ta thuhet se “ata e kanë zemrën majtas, por portofolin djathtas”. Ky është një term i futur në vitet ’80, për të përshkuar të gjithë ata personazhe që “hiqeshin si të majtë duke dhënë këshilla se c’farë duhet bërë dhe nuk bënin asgjë nga ato që thoshin”. Sepse asgjë e përbashkët nuk i lidhte me votuesit apo shtresat e varfëra apo të mesme që votojnë për të majtën”(?!)…

Zëra të tillë kurajozë, të drejtë e seriozë, as që dëgjohen ndonjëherë nëpër istikamet e militantëve provincialë e të paditur. Minimalisht, gjer më sot, Kac Islamin nuk e thërret dot “hajdut” apo “oligark”. Të tjerat në Polit(h)ikën shqiptare, në fund të fundit, vijnë e shkojnë ! Brenda Unazës së Tiranës, ka ende kanale televizive që po merren më shumë me qentë se sa me njerëzit në fshatra e qytete. Madje mbushin edhe sytë me lotë krokodili në ekrane(?). Poe citojmë nga Tëvërat e cartallosur:” prodhimi i lotëve te qentë ndihmon në krijimin e lidhjeve më të forta midis njerëzve dhe qenve të tyre”. Ja dhe një këshillë live për publikun : “Kur pushon kuisjen, mund ta shpërblesh aty për aty, qoftë edhe me një biskotë. Pa harruar edhe format e dënimit…”.

Përkrah pallatit tonë te rruga “Vllazën Huta”, muajt e fundit mbylli sytë përgjithmonë edhe shkodrani i mirë, Hasan Ulqinaku. Nga afër, e njoha vonë. Por miqtë e mi vlonjatë më kishin folur me respekt për të, sidomos për fundin e viteve ’80. Fare pak e dinë që ai gjatë 12 viteve shkollore i binte violinës !… 3 fëmijët (dy vajzat dhe djali) ecën nëpër gjurmët e punës informatiko-elektrike të Hasanit. Dy vajzat e ushtrojnë profesionin edhe në emigracion…Vetëm në Shkodër kujtojnë ende Festivalet e të tjera veprimtari, ku ai la emrin në moshën e hershme të rinisë. Mësoi me profesor Toninin në Shtëpinë e Pionierëve, vëllain e të famshmit Tish Daija. Shoqëroi edhe këngëtarë jo dosido si Justina Aliaj me shoqe. Shkollën e mesme e përfundoi me” Medalje Ari”, ndërsa të lartën për informatikë-inxhinieri elektrike. Por gishti i parë i dorës së majtë i mbeti tërë jetën si më i shtypur, flashkë dhe paksa i përthyer.

Punoi edhe në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Duke mbaruar këto shënime, kujtova një episod të 4 viteve më parë : po debatonim për qentë e vërtetë të rracës, por edhe për ata të zgjebosur nëpër rrugë. Sapo ishte kafshuar rëndë gruaja e një mëhallaliu në trotuar. Për të qeshur dhe për të qarë: Policia e Rendit, nuk kërkonte të zotin e qenit “pitbull” e hergjele të lëshuar nëpër lagje, por po luftonte të kapte vrasësin e qenit agresor(?!). Sikur të ishte kafshuar nga ndonjë mace ! Ose rasti i asaj gruas në Berat që humbi jetën nga qentë ! Ndërsa në një televizion deklarohej:” Hormoni i dashurisë lirohet e shpërthen si te qentë, ashtu edhe te pronarët, sidomos gjatë shoqërimit”. Një komentator theksoi jo pa sarkazëm: “Eh, si u bë kjo dynja ! Dikur kur ngordhte një kafshë e cfarëdolloji, të zotit i thonin “të pastë marrë të ligat e shtëpisë!”, ndërsa tani u dashka me i thanë “të rroni vetë!”… -“Qenin Luli (kështu e thërrisnim) e doja shumë,-rrëfente Hasani.

-Kishim shtëpi dy katëshe. Në dimër e fusja në katin e parë. Por daja acarohej shpesh, nuk e donte atje, thoshte të shkojë në kolibe, në oborr. Mua Luli më përcillte përditë në shkollë dhe më priste kur mbaroja orët e mësimit. Ama, sa herë i bija violinës në shtëpi, cuditërisht nuk lehte asnjëherë. Vetëm dëgjonte me kokën lart. Por sherri i dajës tim po arrinte kulmin. Një ditë e kish marrë në një thes, hipi në autobuz dhe e lëshoi afër Lezhës. :Humbja” e tij e papritur më dëshpëroi shumë. Qaja pa zë në oboor. Pastaj dola ta kërkoja rrugëve të Shkodrës. Vecse nuk kaluan shumë orë dhe ndodhi dicka e padëgjuar në qytet : Befas, në një rrugë u shfaq i lodhur e raskapitur Luli ! Merrte frymë me zor, kuiste vajtueshëm dhe nisi të më fërkohej te këmbët. Pra, arriti të kthehej i vetëm nga Lezha. Hyri gjithë gëzim në koliben e tij, ashtu i uritur e i sfilitur. Nuk e harroj sot e tërë ditën. “Ky qen nuk duhet lënduar kurrë më!”,-tha prerë gjyshja. Dhe vërtet kështu ndodhi. Rrojti deri në moshën 16 vjec…

Ai nuk shembëllente aspak me qenërinë e sotme !///

error:
%d bloggers like this: