SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Nga Pirro NAÇI

Kur isha i vogël, mendoja se ‘’Plaku dhe Deti’’ Heminguei e shkruajti për Xha Gaqen.

Më vonë kisha kërshëri me shkrimtarin…Ku dreqin i kalonte pushimet…? Në Kubë…!?… Atje ku njohu Santiagon, atje lindi dhe novela e famshme për njeriun e thjeshtë, për njeriun e varfër, për njeriun simbol të përpjekjeve që humbjes i jepte dinjitet. ‘’Dështimi’’i Heminguejt për të qënë anës detit, jo në Kubë por në Sarandë dhe për t’u njohur me Xha Gaqen, më dukej i ngjajshëm me atë që Santiago nuk kapi peshk për 84 ditë…!

Ndër vite, prisja jo vetëm nga Heminguej por edhe nga shkrimtarët që pushonin në Sarandë, të hidhnin grepat për të nxjerë në faqet e librave, ‘’peshkagaqen’’ e famshëm të Jonit…

Për ne ai ishtë heroi i kodit sarandjot, ishte detari i rrahur në beteja, kapiteni i regjur që nuk pranonte humbjen. Një figurë pothuajse mitike, i lindur për atë që bënte, njeriu që admiroje, himni i thjeshtësisë së qytetit. Deti mund ishte i frikshëm, por për Xha Gaqen, jo. Ishin të barabartë , dy miq armiq që nuk bënin pa njëri tjetrin.

Me simbologjitë e jetës, Gaqe Lepuri përfaqëson përpjekjet, shpirtin e lindjes dhe të rritjes së qytetit, historinë e peshkatarëve dhe të detarisë Shqiptare.

Fati e solli ta kisha gjiton. Jetonte në një shtëpi përdhese, të varfër në dukje, por brenda kishte një pasuri të madhe, ja kalonte edhe kubanezit. Me 4- fëmijë, 6- nipër dhe 7- stërnipër Santiago… Edhe këtu, Xha Gaqja ‘’peshkonte më thellë’’, dhe me shumë ëndrra. Ëndrrat i kishte si deti, nuk mbaronin kurrë, me më shumë fëmijë, nipër dhe stërnipër, plot 37-të…Familje e thjeshtë, familje me zemër të madhe, emblemë për Sarandën. Shtëpia ishte pothuajse në qendër dhe në pjesën e sipërme, në vijë të drejtë me pontilin. Ndoshta italianët që projektuan qytetin në mënyrë amfiteatrale, dhe vendosën limanin në atë vend, diçka ‘’dinin’’ më shumë… Shkallët ja çuan te pragu i portës, sikur i ‘’shtruan’’ qilimin…sikur kishin gjetur heroin e tyre që kërkonin nëpër shekuj, Enean e Trojës që mitologjiste në brigjet e Jonit.

E shikoja përditë të zbriste shkallët drejt limanit, më dukej se zbriste ato të Koloseut, që të çonin në skenat tragjike për të argëtuar psiqikën barabare… Edhe këtu, dinte ku të hidhte spirancën. Psiqika që mbolli, jeta në ‘’skenën’’ e limanit, ishin një metaforë e betejës njerëzore të njeriut të thjeshtë e fitimtar, siç ishin të gjitha familjet e Sarandës që sapo lindëte.

Si xha Gaqia, Saranda, Kuba dhe e gjithë bota mund të kishte shumë të tjerë. Por ai ishte disi më i veçantë. Të paktën për Sarandën, i përfaqësontë të gjithë. Ishtë një lloj Fari jo vetëm i qytetit, por edhe i detarisë Shqiptare…Pasi la kupinë, ngriti ‘’velat’’, kundër erës dhe ‘’varka’’ e çonte herë kapiten në portin e Shëngjinit, herë kapiten në portin e Vlorës, herë duke pilotuar në portin e Durësit e herë në atë të Sarandës, herë në Jonë e herë në Adriatik, ku frynte e ku e përplasnin dallgët e jetës.

Të njëjtat fjalë mund të shkruaja edhe për Petrefin, shumë i veçantë për Sarandën, apo për Papu Koçon e Nikollοre, më i vjetri i gjithë të tjerëve, për babanë e Pinit, Barba Koçon…Të gjithë bashkë si ajzberg në brigjet e Jonit…Falë tyre shumë breza ‘’Manolësh’’ morën bekimin, nderuan dhe mbajtën të papërkulur ‘’direkun e anijes’’, trashëguar dem baba dem…Pothuajse dy dekada më parë tek limanin u ndërtua Fari simbol. Unë besoj se ai e kreu detyrën dhe duhet t’ja lejë vendin një vepre arti me figurë njeriu, simbol për të gjithë sarandjotët që janë marë me detin dhe vështirësitë e tij. Xha Gaqja, në një vepër arti është kujtesa për të gjithë, është kujtesa e jetës së tij, kujtesa e njeriut të thjeshtë, historia e Sarandës.

Ashtu siç ja kemi për borxh Xha Gaqes, unë mendoj se ja kemi edhe detit. Deti është si jeta, gjithmonë në lëvizje, ai i përket të gjithëve dhe pronë e askujt…era dhe kripa e tij janë një kujtim që me siguri të gjithë e kemi për brenda, është privilegji ynë…Heminguej shkruajti një novelë për Santiagon dhe mahniti botës. Ne, le ti ngrejmë një përmendore xha Gaqes për t’ja kujtuar në rradhë të parë vetes dhe brezave, me shpresë ndoshta për të ‘’lindur’’ një ‘’Heminguej’’ i ri …

Ca fjalë për Xha Gaqen, një skicë dhe një bocet ndoshta nuk janë gjë e madhe. Të gjithë kemi një kujtesë pothuajse fotografike dhe duhet ta ‘’shkrepim’’. Disa thjesht nuk kanë film… ‘’Sekretet’’ e detit nuk duhet të harrohen në breg të tij./sarandaNews.al///

error:
%d bloggers like this: