SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Zgjedhjet e 14 majit. Berisha-Meta, marrëveshje për kandidatë të përbashkët

 Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet lokale të 24 majit 2023.

Në një njoftim nga zyra e PD-së, bëhet ditur se marrëveshja u nënshkrua pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike: për shkak të korrupsionit shkatërrimtar; të asgjësimit të pluralizimit politik në nivel vendor; të shpopullimit masiv dhe tragjik;të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin;të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni.

“Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia e Lirisë, dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik”, thuhet në deklaratë.

Sipas marrëveshjes, konkurrimi për kryetarët e bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

“Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh. Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla”, vijon marrëveshja.

Palët, sipas marrëveshjes, angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të këshillave bashkiake dhe të bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.

Po ashtu, palët angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të këshillave bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.

“Partitë angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve”, thuhet në deklaratë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se marrëveshja mes Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë është historike. Ai u shpreh se ky moment shënon marrëveshjen për fitoren e sigurtë të opozitës në Tiranë dhe Shqipëri.///

error:
%d bloggers like this: