SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

FINIQ/Mbrojtja e teatrit antik, BE financon projektin në funksion të turizmit kulturor

-Teatri antik në qytezën antike të Finiqit, në qarkun e Vlorës, është bërë pjesë e një programi që synon mbrojtjen, ruajtjen dhe shndërrimin e tij në një vlerë të plotë në funksion të turizmit kulturor, në këtë zonë, por i konceptuar në një hapësirë më të gjerë, ndërkufitare, mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke përfshirë edhe objekte të ngjashme në vendin fqinj.

Velta Dalanai, përfaqësuese e Bashkisë Finiq, thotë për ATSH-në se,  është vlerësuar se zonat e Finiqit dhe Dodonit përballen me vështirësi në lidhje me shfrytëzimin e  pasurive të tyre kulturore në funksion të zhvillimit turistik dhe në ndërtimin e një modeli të suksesshëm të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik lokal rajonal. “Shumica e vizitorëve i shohin monumentet e kulturës si atraksione të momentit, duke shpenzuar vetëm disa orë në to. Kjo nënkupton se pikat e interesit kulturor të zonës ndërkufitare konsiderohen, më së shumti, si një ndalesë momentale sesa si një destinacion i integruar turistik”, thotë ajo.

Sidoqoftë, këto zona kanë një potencial të konsiderueshëm. Dy sitet arkeologjike të Finiqit dhe Dodonit përfshihen në listën e monumenteve kryesore kulturore, duke përbërë një vlerë të shtuar në trashëgiminë historike në rajon dhe në fushën e teatrit antik. Shfrytëzimi i këtyre pasurive kulturore në funksion të një ekonomie të turizmit, konsiderohet një sfidë për momentin.

Domosdoshmëria për të mbrojtur dhe ruajtur kulturën në zonën ndërkufitare, nuk është vetëm mjeti, por edhe një kusht për krijimin e autenticitet në nivel lokal, përballë një oferte globale.

Prandaj dhe, projekti i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondet Kombëtare të Shqipërisë dhe Greqisë, në kuadër të Programit ndërkufitar IPA “Greqi-Shqipëri 2014-2020” dhe që po implementohet në partneritet mes Bashkisë së Finiqit, Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Bashkisë së Dodonit dhe Eforatës së Antikiteteve të Janinës(Greqi), synon të rikonceptojë këto pasuri, në funksion të një strategjie afatgjatë, duke inkuadruar edhe elementë të tjerë, në territoret respektive.

“Pas implementimit të suksesshëm të “Projektit MILESTONES – Veprime të  përbashkëta për promovimin e karakteristikave të përbashkëta kulturore të përqendruara në dy teatrot antikë të Finiqit dhe Dodonit”, përmes të cilit realizuam strukturimin e infrastrukturës në Parkun e Finiqit, ndërtimin e biletarisë dhe sinjalistikën e nevojshme, ka nisur puna tashmë për projektin Milestone II dhe Bashkia e Finiqit është duke punuar aktualisht me partnerët nga Greqia dhe Shqipëria për të nxitur zhvillimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në zonën ndërkufitare”, sqaron Dalanaj.///

error: