SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

144-vjetori i Traktatit të Shën-Stefanit, moment hovi në lëvizjen kombëtare shqiptare

 Më 3 mars të vitit 1878 u nënshkrua traktati i paqes së Shën-Stefanit, i cili i dha fund luftës ruso-turke që kishte shpërthyer më 24 prill 1877.
Pas luftimeve të ashpra, që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse arritën në fshatin Shën-Stefan, rreth 17 km në afërsi të Stambollit.

Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, kontit Nikolla Ignatiev e Aleksandër Nelidov dhe atyre osmanë Safet Pasha, ministër i Punëve të Jashtme dhe Sadullah Beu, ambasador në Oborrin Perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat.

Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi me Traktatin e Shën-Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit. Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë. Serbia zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës.

Sipërfaqja e saj rritej nga 37,7 mijë km2 në 52,7 mijë km2. Edhe Mali i Zi rritej nga 4,7 mijë km2 në 15,7 mijë km2.

Sipas këtij traktati, brenda kufijve të Malit të Zi hynin vise të banuara prej shqiptarëve, duke përfshirë Ulqinin, Tivarin, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë.

Territoret e Bullgarisë zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit. Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë. Kundërshtimi i vendimeve të Traktatit të Shën-Stefanit shënon një nga momentet ku filloi të merrte hov lëvizja kombëtare shqiptare.///

error: