Komisioni i “Rithemelimit” në Partinë Demokratike prezantoi sot një raport të hartuar prej saj mbi zgjedhjet e 14 majit 2023. Kreu i grupimit të “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, tha se raporti i përpiluar prej këtij grupimi, bazohet në qindra dhe mijëra fakte, dokumente të konstatuara në të katër anët e vendit.
“Këto që shihni ju këtu dhe të gjitha dosjet tjera janë dokumente zyrtare që dëshmojnë se Shqipëria kaloi me 14 maj farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e saj 32-vjeçare”, – theksoi Berisha.
“Këto dokumente do të jenë pjesë e një raporti shumëvëllimësh, i cili do publikohet, me të cilin do të njihen mediet, do të njihen qytetarët shqiptarë, do të njihen demokratët, por do të njihen edhe institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve të lira. Do gjenden modalitetet për t’u hedhur edhe në ‘Amazon’, në mënyrë që të mund të njihet mbarë komuniteti ndërkombëtar me këtë farsë të shëmtuar zgjedhore, që ka për aktor kryesor Edi Ramën, një person të inkriminuar kokë e këmbë, i cili ka tmerr dhe ferr largimin nga pushteti për shkak të aferave të tij, megaaferave të tij korruptive, kombëtare dhe ndërkombëtare”, – tha Berisha.
Sipas tij, zgjedhjet elektorale të vitit 2023 u karakterizuan nga pabarazia e plotë mes lojtarëve në fushën elektorale “Nëse partia në pushtet disponoi të gjitha fondet, të gjithë makinerinë shtetërore e shndërroi në makineri elektorale, partia kundërshtare, PD, e futur në garë me të njëjtin numër kandidatësh, pati zero lekë mbështetje nga fondet publike”, – shtoi Berisha.
“Komisionet elektorale ishin më të pabarabartat në historinë e këtij vendi. Për herë të parë, 876 mijë qytetarë u prekën me para nga qeveria për të publikuar ose blerë votën e tyre”, – vijoi me akuza Berisha.
Sipas tij, “1.3 milionë zgjedhësve iu ndryshua qendra e votimit. U krijua një armatë prej 520 mijë zgjedhës shëtitës. Dita e votimit ishte ditë kulmore e farsës elektorale. Vetëm në një numër të kufizuar qendrash në bashkinë e Kuçovës janë konstatuar mbi 500 raste votimi në grup, familjar ose në shoqëri. Imagjinoni sa janë në të gjithë bashkinë e Kuçovës”.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.