Kreu i Grupimit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi të premten thirrjen e protestave nga ana e opozitës.
Në një konferencë për shtyp, nga selia ku zhvillon aktivitetin politik “Rithemelimi”, Berisha parashtroi akuzat e tij për dosjen e inceneratorëve. I pyetur se si do të reagojë opozita lidhur me këtë dosje, Berisha u përgjigj duke thekuar se do t’i drejtohet shqiptarëve për të kërkuar largimin e kësaj qeverie me protesta.
“Ne e kemi trajtuar këtë temë me seriozitetin dhe vërtetësinë më të madhe. Por është e domosdoshme që ne t’u drejtohemi shqiptarëve për këtë çështje. Në asnjë vend të botës, një qeveri që ka bërë këtë, nuk qëndron. Dhe nëse qëndron, qëndron për dobësi të opozitës”, tha Berisha.
“Ne do u drejtohemi shqiptarëve për të kërkuar largimin e kësaj qeverie me protesta. Kjo është një aferë e tmerrshme. Nuk ka shoqëri që mund të tolerojë këtë aferë. Do ketë negociata me opozitën. Do bëhen negociata me forca të tjera opozitare. Por kjo nuk mund të kapërcehet!”, shtoi Berisha.
Berisha më tej tha se nga selia blu dikur nuk ngriheshin akuza për inceneratorët.
“Ka qenë një periudhë kur PD nuk pranonte të denonconte djegëset. Për koincidencë, një familjar i imi që është specialist dhe merrej shumë me këtë punë, nuk i pranoheshin të bënte deklarata nga partia. Kjo periudhë ka zgjatur”, tha Berisha.
“Në një periudhë jo të shkurtër, PD ka refuzuar të japë për ekspertët e saj, hapësirën për denoncimin. Është folur që këta kanë një lidhje me Mërtirin dhe Zoton, por nuk kam të dhëna për këtë. Ajo që di është se për muaj të tërë nuk pranoheshin djegëset nga kjo seli”, vijoi Berisha.
Në fund ish-kryeministri tha se është i gatshëm të bisedojë me Bardhin, për të cilin pati dhe një duartrokitje gjatë seancës në Kuvend, ku u votua pro kërkesë së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt, në kuadër të hetimit të inceneratorëve.
“Gazment Bardhi e mbylli fjalimin e tij, me të vërtetën më të madhe të kësaj afere. U tha shqiptarëve, ndofta jo me këto terma, por që sipërmarrja (e inceneratorëve) është e Edi Ramës. Këtu duhet të budallepsësh një shoqëri, çdo institucion, që të besosh se ndërmarrja është e Klodian Zotos. Dhe Gazment Bardhi këtë e tha me qartësinë më të madhe, dhe meritonte duartrokitje të plota. I kam bërë me zemër. Absolutisht i hapur në çdo kohë për të diskutuar, ata janë deputetë të Partisë Demokratike. Tjetër gjë është skenari i Ramës me Lul Bravën, tjetër gjë është kundërshtia brenda PD”, përfundoi Berisha.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit