Kryeministri Edi Rama inspektoi sot akset e reja Orikum – Dukat dhe Palasë – Dhërmi, të cilat janë të hapura përkohësisht, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve, në këtë periudhë fluksesh të larta të lëvizjes së automjeteve.
I shoqëruar nga zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Rama pa nga afër këto kantiere që pritet të përfundojnë në qershorin e vitit 2024.
“Në qershorin e 2024-ës kjo pjesë shumë e rëndësishme e gjerdanit të ri infrastrukturor të bregut Jonian do të jetë e përfunduar, ndërkohë që po punohet me projektin për rrugën e re turistike që nga Dhërmiu në Himarën dhe Sarandë, përmbi kreshtat e kodrave, e cila do të jetë një alternativë çliruese për zhvillimin e infrastrukturës hoteliere dhe çlirimin e trafikut në bregdetin jugor të Shqipërisë 2030, kampione e Ballkanit në turizëm”, tha Rama.
Balluku u shpreh se ky është një nga segmentet më të rëndësishëm pasi lidh bajpasin e Vlorës me hyrjen e tunelit të Llogorasë.
“Më pas lidhet me segmentin tjetër, të cilin e kemi hapur gjithashtu për kalimin e automjeteve që është segmenti Palasë-Dhërmi. Kjo është një kurorë e tërë infrastrukture e lidhur në çdo element me njeri-tjetrin duke nisur nga rruga e re e aeroportit të Vlorës, duke kaluar pastaj në bajpas, më pas në Orikum-Dukat, tunelin e Llogorasë dhe Palasë-Dhërmi. E gjitha kjo është një paketë që përfundon totalisht në qershorin e vitit 2024, për tu dorëzuar për përdorim nga të gjithë automjetet dhe qytetarët”, tha Balluku. (vijon)///

ME SHUME LAJME
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat
Policia masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore