Nga Panajot ZOTO
Bumi turistik i këtij viti në Shqipëri është një realitet i pamohueshëm. Shumë media të huaja kanë bërë publicitet pozitiv dhe kanë ndikuar jo pak që Shqipëria dhe veçanërisht destinacione të caktuara turistike si Ksamili apo Bregdeti i Jonit të mbipopullohen këtë verë nga turistët. I dedikohet kjo investimeve në sektorin e turizmit dhe vëmendjes së shtuar të qeverisë Shqiptare për këtë sektor. Por edhe operatorëve dhe biznesit turistik që kanë investuar dhe krijuar kushte e rritur nivelin e shërbimit në këtë sektor. Por ky sektor nuk u ka shpëtuar edhe kritikave. Jo më shumë se dy ditë më parë ka qenë gazeta Italiane “Il Messaggero” që e shikonte Shqipërinë turistike nga një kënd tjetër. Sipas kësaj gazete ka një realitet tjetër dhe, duke iu referuar Ksamilit si shembull, që është cilësuar edhe si “Maldivet apo Majemi i Shqipërisë” nga shumë media prestigjioze të huaja, nënvizon se ka edhe zhgënjime. Gazeta , që u referohet dëshmive të turistëve italianë që vizituan Jugun dhe sidomos Ksamilin , të intervistuar, shkruan se:
-Zona bregdetare e Shqipërisë “ka zero plazhe”
-Në plazhin “Pulëbardha” një shezlong e japin për 25 euro në se konsumon drekën në restorantin atje ,dhe në se jo 30 euro, me një rritje kjo gati 3 fish nga sezoni i vitit të kaluar
-Një kafe në Ksamil e servirin me 4.5 euro, gati 4 herë më shumë nga kotua e përditshme jashtë sezonit
– Një gazebo për 3 persona kushton 50 deri në 200 euro, etj
Të intervistuarit nga gazeta në fjalë thonë se Ksamili i publikuar si Majami , ka rrugë të pista, të pa asfaltuara, të pa ndërtuara dhe është në kaos. Natyrisht nuk është tamam kështu. Por le t’i shikojmë me pozitivitet kritikat dhe të dalim nga qerthulli i lëvdatave që shpesh na largojnë prej realiteteve që duhen parë me sy kritik. Në Ksamil, psh. nuk mund të thuhet se veç ujit dhe ishujve ekzotik, të tjerat janë. Mungojnë parkingjet, (siç mungojnë edhe në Sarandë dhe në Bregdetin e Jonit), mungojnë rrugët e ndërtuara mirë dhe të asfaltuara, mungojnë shesh- pushimet dhe një shëtitore buzë detit, ku turistët të kalojnë orët e mbrëmjes. Rruga Sarandë- Butrint, që kalon përmes Ksamilit, nuk mund ta përballojë fluksin ditor të automjeteve me turistë, etj. Kjo është një sfidë për pushtetin vendor por edhe për qeverinë. Është një sfidë që kërkon vlerësim të situatës dhe investime për të krijuar kushte përmes eliminimit të mangësive. Por ka edhe një sfidë tjetër. Si mundet që në harkun kohor nga një sezon (i vitit të kaluar) në këtë sezon turistik të ndodh një rritje e tillë çmimesh? Si mundet që rrjeti hotelerik dhe ai i restoranteve të risin çmimet brenda sezonit?. Duket se mungon bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve mes institucioneve qeveritare me sektorin turistik,operatorët dhe bizneset. Mungon kontrolli dhe marrja me shpejtësi e masave për të parandaluar abuzimet. Nuk ka se si qeveria të mos e dijë se thuajse në gjithë vijën bregdetare, po veçanërisht në Ksamil plazhet janë uzurpuar nga Pashallarët- pronar. Si mund të lejohet që banorët vendas atje të mos e gëzojnë plazhin pasi ata duhet të paguajnë shezlogjet si “frengu pulën”, njësoj si turistët e huaj. Nuk kamë të dhëna, por edhe për shkak të mungesës së transparencës qeveritare, mund të them se informaliteti në këtë sektor është i madh sa dhe abuzimi, kur lejohen zaptuesit e plazheve të fitojnë në mënyrë marramendëse dhe mungojnë në buxhetin e shtetit të ardhura shtesë nga këto fitime. Në fakt kjo nuk duhet të ndodh. Buxheti duhet të marrë atë që i takon dhe bizneset atë që u takon brenda hapësirave ligjore dhe jo përmes abuzimit për shkak të mungesës së kontrollit. Në se bëhet një sy qorr dhe një vesh shurdh nga organet dhe,për më keq kjo lejohet për shtimin e të ardhurave në buxhet, kjo e bën qeverinë dhe pushtetin vendor palë ,me abuzuesit. E them këtë pasi abuzimet përsëriten çdo vit dhe ndëshkimet nuk duken në horizont. Shkrimi i gazetës “Il Messaggero” mund të jetë edhe tendencioz, mund të jetë edhe pjesë e konkurrencës turistike, por le t’i shikojmë problemet me sy kritik e të vlerësojmë “anën tjetër” të Shqipërisë turistike. Në këtë vështrim kemi shumë për të bërë dhe ndrequr. Së pari mentalitetin e atyre që bëjnë turizëm. Në se jo, bumi i këtij viti mund të na kthehet në bumerang.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.