Nga Panajot ZOTO
BLUJA E JONIT NË GALERINË “ART SARANDA”
-Shënime për ekspozitën e piktorit Vasil Kaçi-
Në këto ditë të nxehta të fillim gushtit, galeria “Art Saranda” nuk ofron vetëm freski për vizitorët vendas dhe turistët e shumtë që gëlojnë rrugëve të qytetit, por dhe blunë e Jonit, të sjellë në ambientet e saj përmes imazheve që penelata e piktorit Vasil Kaçi i prezanton në pikturat impresionante të ekspozuara.


Nuk është nevoja për prezantim të personalitetit të tij si artist i artit pamor, pasi të gjithë e njohin atë si njeriun,që me jetën dhe sjelljen e tij , ngjasohet me artin që bën. Është pjesë e plejadës së piktorëve dhe skulptorëve të talentuar të Sarandës të çerekut të fundit të shekullit të kaluar, dhe që ende edhe sot, këtu e në emigracion, kontriubojnë në mbajtjen gjallë të vlerave artistike dhe estetike që prodhon arti i tyre.

Me këtë ekspozitë vetiake Kaçi është i gjashtëdhjeti në rradhën e gjatë të piktorëve që kanë ekspozuar veprat e tyre në këtë galeri, e cila ka mirëpritur edhe dhjetëra piktorë vendas e të huaj, të organizar në koloni dhe që kanë ekspozuar punimet e tyre këtu. Kjo ekspozitë nuk është e para për Vasil Kaçin. Me veprat e punuara në vite ai ka marrë pjesë në shumë ekspozita të tjera brenda e jashtë vendit si Greqi, Gjermani, SHBA, ndërsa shpreh hapur kënaqësinë që i jep ky event i vlerësuar për punët e kësaj ekspozite në galerinë “Art Saranda” ,titulluar “Impresione”.

Janë rreth 40 piktura si pjesë e atij shtrati ku vendoset arti i tij, në të cilin mbizotëron peizazhi, si një nga gjinitë më të preferuara, edhe se në karierën e tij të gjatë si artist nuk kanë munguar punime në gjininë e portretit, kompozimit si dhe në teknika të ndryshme si në gravurë psh,ku ai dallohet për origjinalitetin grafik.

Tablotë e ekspozitës “Impresion” të krijojnë një ndjesi kënaqësie estetike teksa syri sheh (dhe kjo duket) se Joni ngjyrë blu dhe bregdeti të jenë futur brenda mureve të galerisë. Ndër tablotë zbulohen forma të peizazhit Jonian. Shfaqet në origjinalitetin e vet dielli në perëndim, e blujta e detit dhe grija e qiellit, Syri i vizitorit rok imazhe shkëmbi dhe plazhe ndër to, që ishin dikur në preferencën e tij. Tok me përjetimin e zhvillimit shoqëror e urban të qytetit vizitori bëhet një me tablotë që përcjellin harmoninë e penelatave nostalgjike dhe dëshmojnë për nivelin artistik dhe estetik të piktorit. Në tablotë e ekspozuara nuk shikon detaje të imta. Autori parapëlqen ta shpreh idenë e veprës së tij jo duke u futur në detaje por përmes penelatave të gjera të cilat modelojnë motive dhe ide. Duke përdorur ,si të thuash, lojën e ngjyrave. Këto i japin tablove vlera të mirfillta estetike, fresikinë e flladit të detit dhe përjetimin e të bukurës, teksa sheh imazhe të një qyteti ku jeton.

Mënyra e tij e të pikturuarit ka të bëjë me një formë moderne, minimaliste- thotë piktori Lefter Çeko. Duke vlerësuar punimet e prezantuara, ai i shikon ato si peizazhe ku çdo njera është një kompozim më vete dhe që të risjellin në mendje kujtime të largëta dhe episode të ditëve të sotme. Vasil Kaçi është një piktor fin që luan me ngjyrat si kompozitori me melodi në piano, si poeti me metaforën në vargje- thotë në vlerësimin e tij poeti, studjuesi dhe kritiku letrar Timo Mërkuri. Ndërsa poeti Vangjel Zafirati e vlerëson Kaçin si një piktor të talentuar me një individualitet të veçantë.
Vlerësimi nga vizitorët e shumtë i kësaj ekspozite dhe e krijimtarisë së tij është një gur tjetër vendosur në murin e lartë të krijimtarisë të shumëvlerësuar të piktorit./(SarandaNews.al)///



ME SHUME LAJME
Policia masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore
Info PLUS. Dollia, Qeleshja, Festivali Folklorik i Gjirokastrës dhe Moti i Madh, drejt UNESCO-s
“RestLess”: Shqipëria, xhevahiri ballkanik, mes destinacioneve evropiane më ekonomike për pushime