SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Njerëz që jetojnë në Vjosë dhe me Vjosën në portretet e Jutta Benzenberg

 Njerëzit e thjeshtë dhe fryma e tyre ndër dejet e Vjosës është ajo çka përcjell Jutta Benzenberg Klosi me projektin e saj të radhës, ekspozuar në mjediset e Piramidës së Tiranës.

Mbi ftohtësinë që tejçojnë muret e betonta, vijnë portrete të relaksuara, që duket se artistja nuk i ka dirigjuar të pozojnë, por thjesht ka huazuar imazhin e tyre, ashtu siç ai shpërfaqet në çdo ditë të jetës.

Projekti “Fryma e Vjosës” mbështetur nga Patagonia, e dërgoi Jutta-n për 1 muaj të punonte në Parkun Kombëtar të Vjosës, këtij lumi që megjithëse i egër, është “burim fryme”.

“Është e rrallë që njerëzit të jetojnë e punojnë në parqe të mbrojtura dhe prandaj ky park duhet parë duke u kujdesur jo vetëm për natyrën por edhe për njerëzit”, thotë fotografja Jutta Benzenberg. Ajo mban mend emrat, madje edhe detaje të temperamentit të tyre, i cili perceptohet edhe nga fotografitë dhe Jutta kënaqet që kjo është e dukshme edhe për sytë tanë si një publik që prezantohet rishtazi me ta. Fotografia e djalit që mban butësisht një mace, është epitomë e ndjeshmërisë dhe lidhjes që ekziston mes njerëzve, kafshëve dhe natyrës së këtij vendi.

Aktorët e Jutta-s janë njerëz që jetojnë në Vjosë dhe me Vjosën. Disa i gëzohen ajrit të mrekullueshëm, dikush bimëve medicinale, e të tjerë rrojnë përmes turizmit të këtyre anëve. Pavarësisht mundësive apo asaj çfarë bëjnë për të jetuar, këta njerëz e shohin jetën e tyre, tani e në vazhdim, të lidhur pandashmërisht me Vjosën.

Rrëfimet e tyre, poshtë çdo fotografie, janë autentike dhe siç shprehet Jutta Benzenberg, vetëm fotot janë të sajat. Ajo ngazëllehet që dalloj një lloj misticizmi në fotot e saj, gjë që nuk e perceptoj në përditshmëri. Por Jutta thotë se pikërisht kjo i pëlqen nga Shqipëria dhe se këtë misticizëm ajo e gjen gjithkund tek ne.

“Fryma e Vjosës” do të jetë e ekspozuar në hollin e Piramidës, deri më 12 nëntor dhe gjithkush mund të hyjë falas për të shijuar pak nga ndjesitë e Vjosës. (Edlira Ruzi)///

1 nga 8

error: