Mëngjesin e sotëm, trupi i Kryepeshkopit Anastas Janullatos mbërriti në Kakavijë, ku pati një ceremoni nderimi. Besimtarë të shumtë, banorë të Dropullit dhe personalitete, kishin dalë ta prisnin arkëmortin që në pikën e kalimit kufitar. Kortezhi më pas kaloi në rrugën nacionale, pranë fshatrave minoritarë dhe në katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Gjirokastër u mbajt një meshë.
Kortezhi tashmë është nisur drejt kryeqytetit dhe në orën 16:00 pritet që të mbërrijë në Tiranë.

Burime të Kishës Ortodokse Shqiptare thanë se janë marrë masat që arkëmorti ta përshkojë rrugën prej Bankës së Shqipërisë e deri brenda katedrales, mbajtur mbi supe. Ky segment rruge do të përshkohet nga besimtarët, autoritetet kishtare si dhe banda e bashkisë.

Me vendosjen e trupit të Kryepeshkopit Anastas, në Katedralen Ortodokse, do të nisin homazhet, më vonë liturgjia deri në orët e para të ditës së mërkurë si dhe përshpirtjet.
Pritet që të mbërrijnë në Tiranë patriarkët më të rëndësishëm të Kishës Ortodoske (i Aleksandrisë, i Jeruzalemit, i Rumanisë etj).
Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore. Shërbesa e funeralit që zakonisht zgjat nga 40 minuta deri në 1 orë, në këtë rast është e paparashikueshme, për shkak se përveç Patriarkut të Kishës Ortodokse, pritet të marrin pjesë me fjalime edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ashtu edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.


Trupi i Kryepeshkopit Anastas do të prehet në kriptën brenda katedrales që ai vetë ishte nismëtari për ta ndërtuar. Nga Kisha e Shqipërisë është shpallur pesë ditë zie nga data 25 deri më 29 janar 2025.(Edlira RUZI)//(Fotot në tekst: Homazhet Gjirokastër: Spiro ÇAKULI- FINIQ)
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri