SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Arkivoli i kryepeshkopit Anastas vendoset tek Katedralja “Ngjallja e Krishtit”.

 Arkivoli I kryepeshkopit Anastas u vendos në Katedralen Ngjallja e Krishtit. Kortezhi me priftërinj shoqëroi arkivolin, ndërsa të shumtë ishin besimtarët që kishin dalë në rrugë për t’i dhënë lamtumirën, ndërsa kambanat e vajit vijuan të binin gjatë gjithë kortezhit.

 Pas një udhëtimi më shumë se 20 orësh përmes Greqisë, trupi i Kryepeshkopit Anastas hyri në tokën shqiptare rreth orës 09:00. Ashtu siç ishte paralajmëruar që në pikën kufitare të Kakavijës u zhvillua një ceremoni nderimi nga autoritetet greke, ndërsa në Shqipërisë qindra besimtarë, një pjesë e madhe fëmijë e prisnin me degë dafina në duar, si një simbol që sjell paqe dhe aromë mirësie.

Pas një ceremonie të shkurtër në Kakavijë, kortezhi që shoqëron trupin e Kryepeshkopit Anastas u nis drejt Gjirokastrës, ku u zhvillua një meshë përshpirtjeje në oborrin e katedrales së qytetit. Kortezhi do të vijojë në nderimin në disa kisha ortodokse të vendit, ndërsa pritet të mbërrijë në Tiranë rreth orës 16:00, kur do të nisin homazhet dyditore.

Në ceremoninë mortore paraditen e së enjtes priten në kryeqytetin shqiptar të vijnë figurat më të larta të klerit në botë, dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse. Nga Vatikani pritet një delegacion i gjerë i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin. Konfirmohet pjesëmarrja e Kryeministrit grek, Mitsotakis me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar.Report Tv ka mësuar gjithashtu se është konfirmuar pjesëmarrja e Patriarkut të Konstandinojës, Bartolomeu; Patriarkut të Izraelit Theofili i Jerusalemit; Kryepeshkopit të Greqisë Jeronimi; Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë; i Bullgarisë, i Rumanisë etj.

Gjithashtu në ceremoni priten Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, Drejtues të “Saint Egidio” në Itali; delegacion nga Këshilli Botëror i Kishave (institucion që përfshin të gjitha kishat, katolike, protestante apo ortodokse), përfaqësues nga unioni ‘Fetë për Paqen’, një delegacion nga kishat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj.

Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos do të përcillet të enjten për në banesën e fundit në Tiranë, pikërisht në një kriptë të posaçme, në ambientet e Katedrales Ngjallja e Krishtit në kryeqytet, një amanet i lënë prej tij. Kisha ortodokse është sot në ditën e katërt të zisë kishtare nga 5 të tilla që vendosi Sinodi i Shenjtë në mbledhjen e jashtëzakonshme të shtunën. Në po të njëjtën mbledhje u vendos si kujdestar i fronit Mitropoliti i Korçës, Joani, deri sa në krye të Kishës të zgjidhet pasuesi i Janullatosit.///

error: