Apeli i Posaçëm ka lënë sot në fuqi masën arrest me burg për Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, pas dy seancave maratonë. Gjyqtari që dënoi ish-ministrin Tahiri, shpalli sot vendimin duke e lënë Veliajn në qeli, ku mbahet prej më shumë se një muaji nën akuzë për korrupsion pasiv e pastrim të parave. Veliaj kërkonte masë më të butë sigurie edhe kundrejt garancisë pasurore, por kërkesa u rrëzua nga Pëllumbi.
Nga ana tjetër, gjyqtari i Posaçëm ka zbutur masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për biznesmenin Elman Abule, i akuzuar për pastrim parash në çështjen e Veliajt. Abule, kërkoi masë tjetër me argumentin se mungesa e tij po i shkatërron biznesin ndërsa ka edhe arsye familjare.
Masa detyrim paraqitjeje është lënë në fuqi për 3 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv. Ky vendim, i hap rrugë Veliajt që t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs.
Po sot, i njëjti gjyqtar Pëllumbi ka rrëzuar edhe një kërkesë të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, për heqjen e sekuestros së llogarive bankare. Xoxa, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu nuk e kanë ankimuar masën detyrim paraqitjeje.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit