Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar sot ndaj asaj që e cilëson si një fushatë publike spekulative dhe populiste, të ndërmarrë nga Kryeministri dhe të amplifikuar nga media, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit të çështjes së statusit financiar të magjistratëve.
Në një deklaratë të gjatë publike, shoqata vlerëson se kjo klimë synon linçimin e gjyqtarëve dhe ushtrimin e presionit të drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Kushtetuese, duke cenuar parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Shoqata thekson se nuk është në kompetencën e saj të argumentojë më tej kërkesat kushtetuese, pasi ato ndodhen tashmë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, por e konsideron të domosdoshme ndaljen e keqinformimit të opinionit publik dhe të presionit politik ndaj gjyqtarëve.
Sipas shoqatës, që prej vitit 2016, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ kanë ndërhyrë në mënyrë të përsëritur në statusin financiar të magjistratëve, duke devijuar nga standardet e parashikuara fillimisht në reformën në drejtësi dhe nga neni 138 i Kushtetutës, i cili parashikon se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen.
Në deklaratë renditen disa raste konkrete, ku qeveria dhe Kuvendi, sipas shoqatës, kanë vepruar në kundërshtim me frymën e reformës dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, përmes ndryshimeve ligjore, dispozitave tranzitore dhe referencave të pagave, disa prej të cilave janë shfuqizuar nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Shoqata thekson se iniciativat e saj nuk kanë si qëllim rritjen e pagave, por mbrojtjen e statusit kushtetues, pavarësisë dhe dinjitetit të magjistratëve, duke e cilësuar si të pavërtetë dhe spekulative narrativën se bëhet fjalë për privilegje financiare.
Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve paralajmëron se sulmet publike ndaj gjyqësorit dhe paralajmërimet për ndërhyrje të reja edhe pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një rrezik serioz për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe për funksionimin e demokracisë, duke nënvizuar se veprimet e saj synojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e parimeve kushtetuese nga çdo ndërhyrje politike.(Gjergji MIMA). ///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri