SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Përkujtohet 100-vjetori i lindjes së akademikut Shaban Demiraj/ Pozicion kyç e të pazëvendësueshëm në historinë e gjuhës shqipe

“Në yllësinë e gjuhëtarëve albanologë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar akademik Shaban Demiraj ka një pozicion kyç e të pazëvendësueshëm”, theksoi sot kryetari i Akadmisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Në fjalën e tij në konferencën “Vepra e Shaban Demiraj për historinë e gjuhës shqipe dhe prejardhjen e shqiptarëve”, të organizuar në ambientet e jashtme të akademisë, Gjinushi tha se, “profesor Shaban Demiraj qëndroi gjatë gjithë jetës si urë ndërlidhëse dhe si një kryesues i degës vendëse të gjuhësisë shqiptare, ku punoi, krahas gjuhëtarëve të formuar në perëndim, edhe me ata që u formuan më vonë në universitete të vendeve të Lindjes”.

“Ai qëndron në krye të asaj breznie të ngushtë filologësh, që u formuan dhe u vetëformuan brenda vendit, dhe iu bashkuan me plot sukses dhe me zotësi konkurruese dijetarëve vendës që ishin formuar, në periudhën midis dy luftërave botërore, në universitete perëndimore. Është fjala për ata gjuhëtarë që kishin përvetësuar metodën dhe arritjet e shkollave më të shquara dhe më serioze të albanologjisë, si ajo austro-gjermane, italiane e franceze e shkollave të tjera afër tyre”, – tha Gjinushi.

Kreu i ASH-së u shpreh se “meritë cilësore e gjuhëtarit Shaban Demiraj është se, i ndodhur midis dy brezash dhe dy shkollash të ndryshme, si në kahje, ashtu dhe në metodë dhe në orientim, duke tejkaluar çdo kornizë që mund të kishte shkolla shqiptare, produkt i së cilës ishte, ai, me vullnetin, dituritë, këmbënguljen dhe durimin e admirueshëm që e shquanin, arriti të dalë në krye të karvanit dhe të udhëheqë dijen gjuhësore me shumë sukses, si prior i saj”.

“Shaban Demiraj është i pari gjuhëtar shqiptar që hartoi një gramatikë historike të gjuhës shqipe universitare dhe akademike. Ajo përbën pa dyshim një kryevepër të autorit e të gjuhësisë shqiptare, një nga trashëgimitë më të rëndësishme të albanologjisë sonë, ndonëse vetë profesori, me modestinë e tij, e quante thjesht një gramatikë historike të saj.
Mbështetur në ligjet dhe ligjësitë e zhvillimit historik të gjuhës sonë, për zbulimin e të cilave kishin kontribuuar bashkë me albanologët e huaj edhe studiuesit vendës, akademikët dhe profesorët Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman Riza, Dhimitër
S. Shuteriqi, Androkli Kostallari, gramatikani Shaban Demiraj i dha gjuhës shqipe të parën monografi, të parin tekst universitar mbi vijimësinë e pandërprerë të strukturave dhe të vetë rendit gjuhësor të shqipes, prej zanafillës deri më sot”, – nënvzioi Gjinushi.

Më tej Gjinushi u shpreh se, ” prof. Shaban Demiraj është gjithashtu i pari autor shqiptar që hartoi dhe botoi një tekst universitar të gjuhësisë ballkanike, duke e kthyer atë në lëndë të disiplinuar. Tek personaliteti i tij veprimtaria universitare dhe kërkimet akademike kanë qenë fund e krye të pandara”.

“Sot nderojmë figurën e veprës së kryetarit tonë, akademikut Shaban Demiraj, në 100-vjetorin e lindjes së tij, që e kemi e do të jetë përherë shembull e trashëgues i vlerave, më të vyera, për Akademinë e Shkencave dhe gjithë komunitetin shkencor. Kënaqësi është që kjo trashëgimi shkencore është përcjellë tashmë edhe tek i biri, prof. Bardhyl Demiraj, një pasues i denjë i të atit, në kërkimet e tij për historinë e shqipes së shkruar dhe të folur, për lidhjet e saj me gjuhët e së njëjtës familje; për botimet filologjike dhe interpretimet shkencore të tyre”, – përfundoi Gjinushi.///

error: