Nga Vangjel AGORA
(pjesa e parë)
Në shkallaret e qytetit tim, aty ku hodha hapat e parë dhe ku u rrita bashkë me kohën, sot, në moshën 70-vjeçare, më pushton një nostalgji e thellë. Është një ndjenjë që të rrëmben butë, por fuqishëm, dhe të çon drejt një bote mendimesh të mbushura me përjetime, me gjithçka që jeta ka depozituar ndër vite në shpirtin tim. Kjo ngarkesë e ëmbël kujtimesh lidhet pazgjidhshmërisht me Sarandën time — Sarandën e lindjes, të rrënjëve të mia, të varreve të prindërve, të familjarëve, të miqve e shokëve të fëmijërisë dhe rinisë sime të hareshme. Është Saranda e shkallareve, që edhe sot frymëzojnë e të shtyjnë të rikthehesh pas në kohë, aty ku gjithçka dukej më e bukur, më e pastër, më e sinqertë. Aty ku miqësia dhe dashuria mes njerëzve kishin një tjetër dritë.



Por shumë gjëra kanë ndryshuar. Pallate shumëkatëshe janë ngritur, rrugë dhe sheshe janë transformuar, qyteti është zgjeruar dhe rritur. Të ardhurit kanë sjellë një tjetër frymë, duke krijuar atë që sot quhet “Saranda e re”. Por për mua, një gjë mbetet e pandryshuar: shkallaret ku u rrita. Ato shkallë që ende, sa herë i kaloj, më mbushin mendjen me zëra, me të qeshura, me lojërat tona të pafajshme. Aty luaja me shokët e mi: Jorgon, Bushin, Fotaqin (Raxhin), Besnikun,Piron, Qakon, Zefin, Manthon, Pandin, Nakon, Agimin, Landin, Dinon, Taqin. Emra që sot janë si gurë të çmuar në kujtesën time.
Eci sot shkallareve të vendlindjes time dhe në imagjinatë dëgjoj të qarat e një foshje, që lindi në marsin e vitit 1955. Shikoj gjurmët e fëmijërisë time të rinisë, formimit e pjekurisë. Ndërtimet e shumta me kriter e pa kriter, tentojnë të më shpërqendrojnë, por unë jetojë në këtë qytet dhe ato pak vite larguar prej saj nuk mund të më largojë kujtimet e mija sa herë ngjitem dhe zbres këto shkallë. Ndaloj në këto shkallë dhe më vjen keq që nuk janë më ato të dikurshmet të skaliturat nga duart mjeshtërore të gurë gdhendësve të talentuar. Një mendje dhe dorë e pa përgjegjshme që nuk ndjente dhe nuk arrinte të kuptonte se sa të rëndësishme dhe të lidhura ishin ato me ndjesitë e banorëve që jetonin majtas dhe djathtas atyre shkallareve. I shkulën duke i zëvendësuar më shkallë pa shpirt,“butaforike”. Një marrëzi e kohës, një ndërhyrje pa ndjeshmëri, që nuk arriti të kuptonte lidhjen e thellë të banorëve me ato gurë.

Kërkoj të lëviz ingranazhet, ende të fuqishme të memories. Dua të kujtoj. Dua të rrëmoj në kujtesë. Dua të rikrijoj tablo të hershme, me emra njerëzish që nuk jetojnë më. Sepse përmes këtyre kujtimeve afrohem më shumë me prindërit e mi, me motrën dhe vëllain tim të ndarë nga jeta në vitet ’60, me njerëzit e mallit të rrugës sime, të lagjes sime, të qytetit tim.
Shumë i vogël, nuk mund të mendohej se do të fiksoja pamjet, që më duhen tani më shumë se kurrë. Ti sjell ndërmend. Janë pamje të jetës time, por edhe të jetës tonë. Në këto shkallare rrokullisej jeta ime por edhe e shokëve të lagjes. Është ajo jetë e thjeshtë, e varfër disi, pse jo dhe me brenga dhe halle, por shumë e ëmbël, shumë e bukur, shumë e dashur, shumë e shtrenjtë. Kam kërkuar në internet foto të vjetra dhe fatmirësisht kam gjetur shumë prej tyre. Ato më ndihmojnë të rindërtoj më qartë ambientin e fëmijërisë. Sot, pak gjë ka mbetur si dikur: dy rrugët paralele kanë ndryshuar. Sot janë të shtruara me gurë mozaiku dhe ndërtime të reja si Gjykata e rrethit, kafene e dyqane dhe zor se gjen ndonjë pamje që të kujton vitet e atëhershme. Qyteti ka ndryshuar, po zor se ndryshon kujtesën tonë. Sa herë zbres shkallaret e qytetit, nuk rri pa hedhur sytë nga shtëpia ku kam kaluar vitet e fëmijërisë sime: dy dhoma me ballkone të mëdha përpara dhe djathtas, një banjë e përbashkët dhe një korridor i gjatë ku, përveç familjes sime, banonin edhe tre familje të tjera — familja Kondi, Roshi dhe Skëndaj, e më pas Konduri — dhe një gjysmë tarace në katin e tretë, ngjitur me çatinë, ku ne shpesh si fëmijë luanim. Ishim të gjithë si një familje. Nga ana e majtë e ndërtesës ku unë kam banuar, përballë nga ana e shkallëve, në pallatin ku poshtë ndodhej arka e kursimit jetonin familjet Shena, Goga, Maçi, Drazho, Mehmeti, Muho, Vasili, Stefanidhi, Dusha, P.Çomo, M.Braja, Th.Gazhga. S.Rexho, S.Kromidha e më tej Kalivopulli, Th.Shara,V.Çuklla, Çaçi, Lula, Vaso. Sa kujtime të bukura më vinë ndermët. Si fëmijë luanim shpesh futboll e volejboll te oborri para pallatit ku Spiro Vasili që ne i thërrisnim “qepa”, transmetonte ndeshjet dhe doktor Kalivopulli, një burrë autoritar dhe shumë i aftë si mjekë ishte i vetmi tifoz ynë që nuk mungonte asnjëherë të na shikonte nga ballkoni në katin e 5 -të, e ku shpesh merrte vet rolin e arbitrit të cilin ne e miratonim në heshtje dhe ndërhyrjen e tij kur ne si fëmijë grindeshim në se ishte ose jo faull apo gol. Ai duke folur nga lart plot autoritet e konfirmonte ose anulonte atë, dhe fjala e tij ishte e pa diskutueshme për ne. Interesant…. ishte i vetmi arbitër në kujtesën time që arbitronte ndeshjen nga ballkoni. Pra ajo lagje dhe ai shesh ishte strofka ku kalova ato vite të cilat janë ngulur thellë në memorien time. Një fole e fëmijërisë së hershme, ku ne si fëmijë zhvillonim disa lojëra. Përveç volejbollit dhe futbollit ne luanim kukafshehtas dhe kanaçia. Ishte një jetë e mbushur me nostalgji, mallë e dashuri.

Kur isha fëmijë, qyteti më dukej çuditërisht i madh, i pafund, nga deti poshtë deri te mali sipër. Shpesh si fëmijë në muajt e verës lëshoheshim me vrap në ato shkallare dhe përfundonim duke u hedhur me kokë në det te limani. Italianët ndërtuan shumë vepra urbane, në qytet. I dhanë formë dhe e nxorën nga mizëria duke sistemuar bregdetin, murin me gurë të skalitur të shëtitores dhe limanin. Prej fëmijërisë së hershme kujtoj se qyteti kishte vetëm dy shkallare të plota ku përfshiheshin tre rrugë paralele dhe bulevardi ku syri sot mbushet me dritë tek shikojë ato ndërtesa hijerëndë që ende ekzistojnë akoma dhe ndjekin simetrinë e shkallëve. Shkallaret ku unë u rrita, fillonin nga rruga mbi limanin dhe përfundonin te shtëpia e kapiten Gaqos, ose e xhaxhi Taqos. Unë u rrita së bashku me shkallët. Në ato vite qyteti numëronte rreth 9000 banorë. Një qytet fshat ishte e gjithë Saranda, por ne fëmijëve na dukej e madhe. ( vazhdon pjesa e dytë)///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Filiali Universitar së afërmi në godinën e Ekokampusit. Godina e Filialit, shkollë e re për qytetitn
Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Policia e Sarandës, kontrolle në Ksamil për nivelin e zhurmave