SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Fshati për karshi

Nga Edison Ypi/

…me Kish’ e me varre, me kalldrëme, mure, sokakë, dhe rrotull ca shtëpi, bosh fare.Nuk ësht’ bombardim. Këtu nuk kaloi asnjë pushtues që ti vinte zjarrin. Këtu nuk erdhi asnjë armik që ti shpërngulte banorët.Është fshat i braktisur. Është fshati Bezhan. Rrëzë Gramozit pak kilometra pa vajtur në Ersekë.Kanë ikur. Gjithçka e zbrazur. Duket si Zemër e ndalur që nuk i lypset të shpjerë gjëkundi gjak. Ka ikur trupi. Ka lënë gjymtyrët.Ku janë kolonjarët, familjet, vatrat e ngrohta, fiset, gëzimet, zemërimet, inatet, hatërmbetjet, vendimet fshatçe, mblesëritë, dasmat, krushqitë, fatkeqësitë, dashuritë, sherret, urrejtjet, zilitë, zullumet, paudhësitë, trimëritë, përrallat, plakat, pleqtë, djemtë, vajzat, fëmijët ?Ku është mëngjesi i freskët i këtij fshati ?Ku janë të lehurat e qënve ?Ku është meraku i grave për t’u ngritur të parat nga gjumi i natës, për të ndezur zjarrin për të përgatitur kafenë ?Ku janë tymrat që dalin nga oxhaqet, përshëndetjet mëngjezore, blegërimat, dalja e bagëtisë për në kullota ?Ku është mesdita, dreka, vapa ?Ku është pasditja, muzgu, simfonia e zilkave, mbrëmja e muhabeteve dhe darkave me mish e raki, kafetë, meseletë, kolonjarllëqet, meraku i grave se muhabetet e burrave mund të përfundojnë në sherr.Ku është nata, dhe gjumi i pafajshëm, ku janë ?Ku, ku janë shqiptarët, atdhetarët, kombëtarët, heroikët, trimat, shekullorët, legjendarët, punëtorët, paqedashësit, liridashësit, ku janë ata që i kanë thënë Bukës Bukë, Burrit Burrë, Trimit Trim, Turpit Turp ?Ku janë, ku kanë ikur, si kanë ikur, ku janë ngulur ?Sa prej tyre ngrinë në dëborë mbi Gramoz, a u vranë nga rojat këtej e andej kufirit ? Sa janë kthyer të rrahur e të përgjakur ?Po adoleshentët që nuk dinë ç’është bërë nga ‘90 e tutje, ata që në ikje e sipër, me shkumës a kongjill, lanë emrat mbi muret e shtëpive të braktisura, ku janë ?Ndonjëri, ose disa, janë në fund të Adriatikut ku dallgët e nënujshme ua përkundin skeletin. Të tjerë, me viza a pa viza, mbi tragete a skafe, nën ndonjë kamion, a brenda ndonjë konteineri kaluan Otranton a La Manshin. Mund të kenë përfunduar në Itali, Angli, Belgjikë, Gjermani, ku mund të kenë ndërruar edhe emrat. Kush e di në ç’zgëq të Evropës a Amerikës lajnë pjata dhe kazana të zbrazura me aroma të qelbëta në këmbim të këtij fshati të freskët malor që ti mbush mushkëritë me ajër të shëndetshëm.Ndoshta i shtyjnë netët nën ndonjë urë, ose duke lypur në ndonjë metro’. Ku dikush edhe mund të ketë vdekur nga uria. Ku policë me doreza llastiku, i kanë shtyrë me tuba uji brenda një thesi plastike për t’i hedhur pastaj në ndonjë kazan plehrash a në ndonjë laborator për të bërë eksperimente mbi genet dhe rracën.Sa do zgjasë kjo braktisje rrënqethëse ?Edhe sa do presim të kthehen ata njerëz, të kërrcasin ato kalldrëme, të gjallërohen ato rrënjë, të tymosin ata oxhakë, të rrjedhi ay gjak ?/Fjala//

error: