PIRO MOSI – DRITA QË MBETI NË KUJTESËN E SARANDËS
Nga Vangjel AGORA
Dje u shua një “dritë” e vjetër e Sarandës.
Në moshën 98-vjeçare është ndarë nga jeta Piro Mosi, i jati i mikut tim ,aktorit të njohur Zef Mosi, mjeshtri i fotografisë, njeriu që për gati një shekull mbajti gjallë kujtesën vizuale të qytetit tonë, duke e shndërruar çdo imazh në histori, dhe çdo histori në ndjenjë.
I lindur në Shkodër, më 1 gusht 1927, Piro Mosi rridhte nga një familje e njohur me tradita të thella atdhetarie e kulturore. I biri i vëllait të Hilë Mos-it, një prej figurave të shquara të kombit. Ai u formua nën hijen e Atë Gjergj Fishtës, teksa mësonte në Liceun Françeskan, dhe që atëherë drita u bë gjuha e tij e përhershme.
Në Sarandë, ku u vendos familja gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Piroja do të gjente vendin që do ta lidhte përjetësisht me shpirtin e tij krijues. Me aparatin e tij modest në fillim, e më vonë me sy të formuar mjeshtërisht, ai dokumentoi fytyrën e një qyteti që rritej, ndryshonte, shpresonte.
Në çdo fotografi të tij ka jetë: një dasmë, një buzëqeshje, një anije që niset, një shfaqje estrade e teatri, një portret që flet më shumë se një libër. Ai nuk fotografonte për të ruajtur pamje, por për të ruajtur kujtime, njerëz dhe frymë.
Gjatë më shumë se pesë dhjetëvjeçarëve të punës së tij, Piro Mosi u bë fotografi i qytetit, një kronikan i heshtur që shkroi historinë e Sarandës me dritë. Një pjesë të arkivit të tij ia dhuroi Fototekës Kombëtare “Marubi”, duke e ndjerë se vlerat e tij u përkisnin të gjithëve.
Megjithatë, si për ironi të fatit, në vitin 1997, një pjesë e madhe e fotove të tij – në letër e në celuloid – iu vodh. Ai nuk u ankua, nuk u zemërua, vetëm tha me qetësinë e tij karakteristike:
“AJO QË MË KANË MARRË ËSHTË LETËR, POR AJO QË MBETI NË KUJTESË, NUK MA MERR ASKUSH.”
Dhe ashtu ishte. Kujtesa e tij ishte një arkiv i gjallë i jetës kulturore, shoqërore e historike të qytetit.
Piroja ishte fotografi i zbulimeve arkeologjike të Dhimosten Budinës, një dashnor i teatrit, një aktor dhe regjisor në hapat e parë të artit skenik në Sarandë, një njeri që besonte në lirinë e shpirtit dhe në forcën e dritës.
Edhe kur jetoi për vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai kthehej çdo verë në Sarandë – në qytetin që e donte si fëmijën e vet – për të takuar miqtë, për të parë detin, për të ndjerë aromën e dritës mes shtëpive e fytyrave të njohura.
Me largimin e tij, Saranda humbi jo vetëm një njeri të mirë, por një dëshmitar të rrallë të historisë së vet, një sy që pa gjithçka dhe nuk lodhej kurrë së kujtuari.
Në aparatin e tij të heshtur, ai mbajti dritën e brezave, portretet e dashurisë, kujtimet e qytetit.
Tani, kur ai vetë është bërë kujtim, fotot e tij flasin edhe më fort.
Sepse Piro Mosi nuk iku — ai mbeti aty ku drita nuk shuhet kurrë.
Ngushëllime të përzemërta mikut tim të dashur Zef Mosi, familjes dhe të gjithë atyre që e deshën, e njohën dhe e vlerësuan këtë njeri të rrallë.
Qoftë i paharruar emri i tij, ashtu siç mbeten të paharruara dritat që ai fiksoi në jetë.///
ME SHUME LAJME
Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës
48-vjeçari shqiptar arratiset nga burgu Koridhalos në Athinë
Zvërneci. Ish-kryeministri grek Tsipras i përgjigjet Ramës: Mos më bëj leksione nacionalizmi mua