Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Romeo Gurakuqi ka hedhur sot akuza ndaj Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve në PD, të cilët vendosen skualifikimin e tij. Me anë të një reagimi të titulluar “Opozita nën shqyrtimin e komisionerëve të pacertifikuar”, Gurakuqi ka hedhur akuza të forta ndaj pjesëtareve të këtij Komisioni.
Gurakuqi u vendos në listën e pritjes nga Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve, dhe ai vetë shprehet se ka pritur me qetësi arsyetimin e vendimit personal të marrë nga komisionerët, por asgjë e tillë nuk është dhënë deri më sot, përveç disa deklarimeve të përgjithshme, prozhmuese, fyese dhe akuzuese, të lëshuara në mënyrë konfuze nga komisionerët e paçertifikuar dhe që në kodin tonë konsiderohen shpifje për të cilat autorët duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Pyetja që i bëj vetes që nga ai moment është se kush janë këto “dinjitarë”, që kanë të drejtë të japin verdikte përkufizuese dhe poshtëruese mbi anëtarët e opozitës?”, shprehet Gurakuqi në reagim. Ai thekson se më 30 tetor 2020 ka depozituar një akt-padi për Komisionin e Apelit. “Mbasi Gjykata e Apelit ende nuk është mbledhur, unë po paraqes arsyetimin tim mbrojtës”, ka theksuar ai duke renditur disa pika.
“Askujt nuk i ka shkue ndër mend 30 vite ma parë, se do të vinte një ditë, që filtri i vlerësimeve të elitës politike të PDSh-së, si parti e Qendrës së Djathtë, e vendosur sot në vitin 2020 në rrugën e çmontimit të një regjimi kleptokratësh, do të kalonte përmes një komisioni, të përbërë nga anëtarë që janë formatuar në fillesë në kuzhinën e ish- Komitetit Qendror të PPSH, në Grupin e Oficerëve Enveristë Bustambajtës të Shkollës së Bashkuar, subjekte të proceduar në një kohë për tregtim pyjesh; ose ndër njerëz, që ende nuk janë drejtuar pranë institucioneve, që të vertetojnë pastërtinë e figurës, të tregojnë çfarë bënin ata qysh në bankat e shkollës së mesme dhe vijim ne vitet (70-80), ku diktatura po bëhej çdo ditë dhe më e ashpër me rininë shqiptare”, shprehet Gurakuqi.
“Imagjinoj si do të kishte reaguar sot, dëshmori i demokracisë, Arben Broci kur do të shihte shkresmbajtësin dhe përkthyesin e Institutit të shoqes Nexhmije, duke u matur për ta shënuar emrin e tij me stilografin e dhuruar në zyrat sovjetike, apo çfarë deklarate do të kishte dhanë Dom Simon Jubani, kur do të shihte, se vlerësimin e kandidatëve të djathtë e komandon njeriu i parë i zinxhirit të uljes së gradës së marrëdhënieve të Shqipërisë me Seline e Shenjtë dhe e ka lanë Shqipërinë tash 7 vjet pa ambasador në Vatikan. Përkufizimin final të kësaj gjendjeje paradoksale besoj ta bante i madhi Arshi Pipa: “paskeni ra sërish në duart e “Jeunes Turcs” të prodhuem nga regjimi i vjetër bijt e mi, sikurse ua paralajmërova”! Po, i paharrueshmi Ati ynë politik! Ata kanë ardhë për të vrarë Opozitën, atë të njimendtën; atë të njerëzve të vuajtur, liridashës të qytetit tand dhe të të gjithë Shqipnisë së andrave tuaja!”, ka thënë Gurakuqi
Mes të tjerash ish-deputeti shprehet se “pyetja që i bëj vetes është se kush janë këto “jakobinë kokëprerës”, që kanë të drejtë të japin verdikte përkufizuese dhe poshtëruese mbi figurën time?”.
Gurakuqi del në përfundimin se “vendimmarrja e fundit e komisionereve u realizua qartazi në shkelje të plotë të autoritetit të dhënë atyre nga Udhëzimi nr. 60 kryetarit të PDSH dhe Statuti i PDSH. Ata morën një vendim kur tagri u kishte përfunduar. Vlerësimi përfundimtar i komisionerëve mbyllej në momentin kur emrat e kandidatëve dërgohen në degë. E drejta e komisionerëve për të shqyrtuar kandidatët përfundoi ditën, që emrat i shkuan anëtarësisë për konsultim (në Shkodër, me datë, 30 shtator 2020). Pika 32 e udhëzimit e përcakton krejt qartë këtë: “Kryesia e Partisë përzgjedh kandidatët zyrtarë të PD në zgjedhje nga Lista e Kandidatëve të konfirmuar nga anëtarësia”. Mirëpo Komisionerët, nën ethet e tyre paranojake skualifikuese, gabimisht iu referuan nenit 31, duke bërë të paditurin, mbasi ajo pikë qartazi duhej të përdorej nga komisioni vetëm për ata kandidatë, të cilët ishin konfirmuar fillimisht, por më pas u skualifikuan nga anëtarësia”, ka thënë ai.
“Me mbetën një mijë pyetje pa përgjigje, por veç njera prej tyre më rëndon shumë: si asht e mundshme, që personazhe të cilët nuk i kanë deklaruar më parë anëtarësisë së PD dhe publikut prejardhjen e pronave dhe pasurisë që disponojne, nuk kanë marrë çertifikatat e pastërtisë sikurse e kërkon ligja dhe rregullat e brendshme të PD, guxojnë të vendosin nën shenjestër pandershmërisht njerëz, që punojnë dhe ndërtojnë jetën e tyre bazuar në norma tërësisht të pastra morale dhe ligjore? Dikush e solli këtë kombinim të pamenduem, këtë kontorno të cinizmit, ligësisë, egoizmit, pabesisë, mendjemadhësisë boshe, për të rrethuar me presion një udhëheqësi opozitare, që po ngrihet nga rrënojat e një sistemi të shkatërruar kushtetues dhe juridik, për të marrë drejtimin e stabilizimit të vendit, për t’i dhanë popullit shpresë dhe perspektivë për të ardhmen. Posaçërisht e rëndë është përpjekja për të dëmtuar përfaqësinë demokrate shkodrane, për t’i imponuar Shkodrës, Malësisë, Dukagjinit, Pukës, që ka qenë mbështetja tradicionale e opozitës properëndimore, një përfaqësi të pilotuar dhe formale. Kjo është tëresisht e papranueshme, ndaj besoj se zoti Basha do ta shfuqizojë përpjekjen sabotuese të komisionerëve, ndaj një procesi te ri demokratik, që PD filloi me aq përkushtim e seriozitet në muajin korrik 2020 dhe do rikryejë vlerësimin përmes metodologjisë së aprovuar dhe rrugës institucionale”, ka përfunduar Gurakuqi.//ata///
ME SHUME LAJME
Zvërneci, Kakomeja dhe nevoja për transparencë
Dhuna e rojeve privatë në Zvërnec, Ina Zhupa: Banditë me kapuçë të zinj i hodhën spray protestuesve e policëve!
Zvërneci dhe elefanti që nuk hyn në vrimën e gjilpërës