Bga Edison YPI
Simotra ideologjike e Shqipërisë, Kuba, është zhytur në errësirë. S’ka drita. S’ka drita sepse s’ka naftë. S’ka naftë sepse s’ka pare. S’ka pare sepse s’punon.
S’punon sepse s’ja vlen. S’ja vlen sepse paguajnë pak. Paguajnë pak sepse ekonomia është e centralizuar. Ekonomia është e centralizuar sepse kështu e la Fideli e të tjera e të tjera.
Tani Kuba po pret me gjak të ngrirë si do i vejë halli: Do mbetet e pastër dhe e vdekur, apo e gjallë dhe e ndotur ?
Para se të qelbej, edhe Shqipëria e pastër si Kuba ishte. Mumje e urtë, e bindur, e pastër. Punonte nëpër fabrika, kantiere. Mbillte ara me grurë e misër. Por nuk korrte drithëra. Vetëm fitore korrte. Korrte fitore por s’kishte të hante. S’kishte të hante por ndjehej e ngopur. Ndjehej e ngopur por ishte e uritur. Ishte e uritur por s’pipëtinte nga frika. Derisa mumja e pastër u qelb e tëra në çast nga fare pak ajër i pastër.
Tani pritet që Kuba e pastër të qelbet si Shqipëria e pastër që u kthye nga e pastër në e pisët.
Me gjasa, qelbja e shumëpritur e Kubës është afër. I duhet ta shfrytëzojë rastin. Të dijë të manovrojë për tu qelbur një herë e përgjithmonë. E mira, para se të plasi Lufta e Tretë Botërore.
Amerika e ka Kubën te pragu. Mezi pret ta pastrojë. Por Kubës së pastër nuk i lypset pastrimi. Kubës i duhet ndotja, llangosja. Mirpo Amerika i ka duart e zëna.
Kina nuk ja ka ngenë. Rusia ka hallet e veta. Irani po i lutet Allahut të mbetet gjallë. Krishti dhe Muhameti janë larg, lart në qiell. Të tjerëve as u bie në men sa e pastër apo e ndotur është Kuba.
Për fat, ekziston Shqipëria, përvojat e të cilës me ndotje të përsosur mund t’i vlejnë edhe Kubës.
Nëse Kuba e pastër do ndjeki shembullin e Shqipërisë së përdhosur, i ka të gjitha mundësitë të ndotet nga koka te këmbët, më mirë dhe më bukur edhe se Shqipëria që është nona dhe baba e pisllikut.
Por duhet të ketë kujdes disa gjëra.
Për shembull, të mos verë në krye të reformave ndotëse ndonjë Doktor të pastër të mbrujtur me mësimet e pavdekëshme të Fidelit, të kalitur në kudhrën e përplasjeve me mbeturinat borgjeze. Doktori kuban le të ketë shetitur me varkë në liqenin e Pogradecit të Kubës, ose të ketë vajtur për gjah mbi kalë me familjen e Fidelit. Le të ketë qënë edhe sekretar partie, të ketë folur me zjarr proletar nëpër mbledhje për rreziqet që i kanosen Kubës nga jashë e nga brenda, makar edhe për vlerat dhe avantazhet e marksizëm-leninizmit etj. Le t’i ketë bërë këto tmerre dhe të tjera. Halli është të mos i duken kubanët kalamaj me gisht në gojë si biberon. Të mos i duket vetja i ri dhe i shëndetshëm 82 vjeç. Të mos i duken pak 16 vjet në Opozitë. Të mos pretendojë në atë moshë dhe këto rrethana të vazhdojë të rrijë kryetar për interes të bythës së vet. Të mos shesi moral ditën, dhe natën të ngrerë kulla dhe grataçiela. Të mos mbetet si Don Kishoti: kufomë mbi kalë me heshtë të shtrembër dhe parzmore të ndryshkur, por në momentin dhe mënyrën e duhur të zbresi nga kali, dhe të ndotet për së mbari duke shkruar një libër me kujtime.
Për tu çirrur nëpër mitingje Kuba ka mijëra Tony Montana. S’ka nevojë për asnjë gangster, asnjë Azem, Sigurimsa, kontrabada, lidhje të fshehta.
Në funksion të ndotjes sa më të thellë, ndonjë Sude për ndonjë skemë financiare piramidale, nuk është e këndëshme, është e pranueshme. Por pa e tepruar. Jo aq sa të ngrihen kubanezët të boshatisin depot e armëve dhe municioneve për të vazhduar me Gërrdeca dhe 11 Janara.
Sot Kuba është aq e pastër sa e vetmja gjë që lëviz është akrepi i orës që copton pa mëshirë kohën duke trokitur tik-tak, derisa ora me gjithë akrepa të shpërthejë si bombë me sahat, dhe Kuba të qelbet nga ajri i pastër.
Përndryshe, Kuba nuk do mund të ndotet. Do mbetet e pastër si mumja, e heshtur si peshku, e ftohtë si gjarpëri, e kuqe si molla, plot me fukarallëk, nostalgjira, muzika të vdekura, makina të vjetra, dhe me kallam sheqeri brenda.///
ME SHUME LAJME
Ambasada e SHBA: Grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë opozitën iraniane në Shqipëri
Reshje shiu të herëpashershme pothuajse në të gjithë vendin
Këngëtarja greke Marinella tur në Shqipëri në vitin 1976, Arkivi i Filmit sjell pamjet