Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK-ut Arben Kraja deklaroi sot se institucioni që ai drejton, është i vendosur për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që përfshihen në korrupsion, përfshirë zyrtarë të lartë.
Kraja, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara, për takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, atij të Drejtësisë, Byrosë Federale të Hetimit, Agjencisë amerikane të Luftës Kundër Drogave, si dhe institucione të tjera amerikane të zbatimit të ligjit, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se SPAK-u do të vazhdojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni si dhe për të luftuar korrupsionin.
Kraja foli për takimet në Uashington si dhe për dosjet që janë duke u hetuar në Shqipëri
“Qëllimi i vizitës ishte që, e para të prezantojmë punën e SPAK-ut, deri tani. Pra, çfarë kemi bërë e ku kemi arritur dhe e dyta të vendosim pikat e bashkëpunimit për të ardhmen, në kuptimin e strategjisë e si të zhvillohet ky institucion. Në të gjithë takimet dhe pothuajse me të gjithë bashkëbiseduesit arritëm në një përfundim të përbashkët, që ky projekt i filluar që është një projekt i guximshëm duhet vazhduar e duhet çuar deri në fund. Është një projekt i filluar nga shteti shqiptar në bashkëpunim të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për krijimin e SPAK-ut e kam fjalën, dhe në këto kushte duhet të vazhdojë mbështetja për ta konsoliduar edhe më shumë edhe për të vazhduar punën si strukturë për të dhënë rezultatet e pritshme, për të cilën edhe është ngritur”, tha ai.
Në lidhje me pyetjen se senatorësh amerikanë, nga të dyja krahët, paraqitën një projektligj që synon të luftojë korrupsionin në vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet hartimit të një legjislacioni të posaçëm mbi sanksionet që Uashingtoni ka vendosur ndaj atyre që kërcënojnë stabilitetin dhe paqen në këtë rajon. Në Shqipëri, ndaj një sërë figurash politike, ku më i larti është ish-Kryeministri Sali Berisha, janë vendosur sanksione për korrupsion domethënës nga Shtetet e Bashkuara. Duket sikur në këtë aspekt perëndimi po bën më shumë se sa autoritetet shqiptare. Cila është përgjegjësia, në këtë rast, e SPAK-ut? Çfarë do të bëni ju pas këtij momenti, do të ketë një hetim mbi këtë çështje?. Kraja u shpreh se jemi të vendosur që për të gjitha rastet që kemi çështje penale nën hetim apo raste që përfshijnë zyrtarë të lartë.
“Problemi i korrupsionit në Shqipëri, por edhe në Ballkan është një problem shumë shqetësues. Është mungesa e ndëshkueshmerisë, mungesa e ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë që kanë qenë të përfshirë në elemente korrupsioni dhe si rezultat i këtij shqetësimi është bërë një reformë – është krijuar një strukturë e re, ka ndryshuar shumë ligje dhe kemi dy vite e gjysmë që punojmë, kryesisht për ngritjen e konsolidimin e strukturës dhe për arritjen e rezultateve konkrete. Pa diskutim që ne bashkëpunojmë me të gjitha strukturat të homologëve, qoftë edhe jashtë vendit për të luftuar këtë fenomen (korrupsionin). Ne kishim një takim me Koordinatorin Global kundër Korrupsionit i emëruar kohët e fundit nga Sekretari Blinken në Shtetet e Bashkuara. Shkëmbyem mendime në lidhje me nevojën për të rritur edhe më shumë luftën kundër korrupsionit. Pjesa e SPAK-ut pastaj pa diskutim është çështja e hetimeve të çështjeve penale. Çështje penale SPAK-u ka shumë nën hetim, prej atyre të bëra publike dhe që nuk janë bërë publike, sepse kështu është hetimi. Ne jemi të vendosur që për të gjitha rastet që kemi çështje penale nën hetim apo raste që përfshijnë zyrtarë të lartë, kushdo që të jenë ato, t’i shkojmë deri në fund për të sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe për t’i vënë para përgjegjësisë kur provohet vepra penale”, tha ai.
Kraja u shpreh se “çështja e incineratorëve është një çështje shumë komplekse sepse janë përfshirë shumë institucione shqiptare të cilat kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti. Po kështu është edhe një volum i madh pune për të sqaruar se çfarë ka ndodhur.
“Ne kemi 3 hetime, pra 3 çështje penale për secilin nga incineratorët, Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. Për dy të parat, pra Elbasanin dhe Fierin ne kemi arritur disa përfundime, pra i kemi bërë njoftimet që tanimë i dini sepse janë bërë publike. Kemi ngritur në përgjegjësi penale disa persona, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Por hetimet vazhdojnë dhe për incineratorin e Tiranës do ta vazhdojmë deri në fund për ta sqaruar se çfarë ka ndodhur. Në qoftë se ka përgjegjësi penale, kush ka dhe do të përgjigjet, kushdo që të ketë shkelur ligjin”, tha ai. /atsh///
ME SHUME LAJME
“The Telegraph”: Shqipëria mes 10 vendeve më mikpritëse për turistët
Mot i kthjellët, vranësira kalimtare në relievet malore
Rritja e çmimeve të karburanteve, Mitsotakis shpall paketën 300 milionë euro me masa lehtësuese