SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

KULTURË. Bota ndryshe në narrativën e Koço Kostës

Nga Fatmir MINGULI

Libri më i ri i Koço Kostës “Vdekja e kaut” është me dhjetë tregime dhe novela sa interesante aq dhe origjinale. Origjinaliteti i tyre nuk është bazuar vetëm tek subjektet e bukura dhe kërshërindjellëse, por edhe mbi mënyrën e të treguarit. Eshtë një libër me stil narrativ krejt të veçantë, ku spikat një guxim ndryshe, një tendencë bashkëkohore në zhanrin e prozës së shkurtër.

Isha njohur me dy librat e fundit të Koço Kostës, vëllimin “Mall për ty baba!”, botuar në 2017 dhe vëllimin me tregime “Borziloku që than lotin”, botuar në 2019. Por u njoha edhe me shkrimin e profesor Bardhyl Maliqi, i cili për këta dy libra ka shkruar një artikull tejet profesional, duke cilësuar “risitë artistike të gazetarit Koço Filip Kosta”.

Ndërsa botimet e para të Koço Kostës datojnë në vitin 2005, me librin “Vrasja e një gruaje“, roman dhe në vitin 2015 me vëllimin me poezi “Shtëpia mbi një liman “. Këtu nuk po përmend krijimtarinë në gazetari të këtij shkrimtari, po shkrimet e para publicistike i botoi që në vitin 1966.

Le të vimë në vëllimin e tij të ri “Vdekja e kaut”. Edhe në këtë vëllim dallohen risitë artistike të shprehura me një përkushtim të detajuar mbi subjektet dhe mbi stilet.

Mjafton të lexosh novelat “Mëmë Cella” dhe “Bileta e anulluar”, për të ndjerë thellë në shpirt jetën e moshës së tretë, parë jo në pezimizëm. Personazhet e këtyre novelave janë portrete të vërteta të njerëzve të bregut jugor, janë portrete të qëndisura me fije transparente nga stili ndryshe i Koço Kostës. Kur njihesh me Mëmë Cellën, ke njohur pothuaj të gjitha Nënat e Bregut, ato të hershmet e ato të sotmet. Kuadratimi artistik i personazheve te libri “Vdekja e kaut” i tejkalon normat e zakonshme shpirtërore, që një prozator mund të përdorë. Tregimi i jashtëzakonshëm “Lypsja dhe pëllumbat” është një himn për botën shpirtërore të njeriut edhe kur ai është i varfër. Intelektualiteti në narrativën e këtij tregimi është në sinkron me letërsinë e bashkëkohëshme jo vetëm në Shqipëri.

Pa hyrë në brendi të subjeketve do të theksoj pikërisht këtë intelektualitet të Koço Kostes në trajtimin e shprehjeve artistike, ku metaforat “bëjnë ligjin”, ku përsiatjet monologuese të kujtojnë përshpirtjet religjioze, ku përsiatjet për dashurinë për kafshët, kau dhe shpendët, pëllumbat, kthehen në “mesha hyjnore” në katedralet e shpirtit njerëzor.

Edhe pse është hera e parë që lexoj tregime dhe novela të shkrimtarit Koço Kosta, nuk e fsheh habinë time për këtë stil narrativ, që shpaloset në vëllimin e tij më të ri “Vdekja e kaut”. Ky vëllim, është një dëshmi, një certifikim mbi një fakt tejet të veçantë, që është mënyra se si tregon autori ngjarje dhe portrete njerëzish të Jugut. Nëse lexon tregimin e parë të vëllimit të Koço Kostës “Vdekja e kaut”, që mban titullin “Mëmë Cella”, do të hysh menjëherë në botën narrative të këtij autori të çuditshëm, këtij autori që të befason me mënyrat e përshkrimit të ngjarjeve me një natyralitet bregdetas të poshtëm, atje ku deti Jon dhe kodrat e Sarandës të çojnë sinjale për të shkruar ndryshe.

Stili i Koço Kostës është një përzjerje variantesh narrative, aty ku monologu i përshpirtshëm lidhet me dialogun e vetevetes dhe ku veta e dytë i le vendin vetës së parë dhe anasjelltas.

Ky stil nuk është rrjedha e ujit të qetë të një lumi fushor, është dallga e furishme që përplaset mbas shkëmbit, pa pritur radhë. Eshtë ky kombinim stilesh, që e çojnë Koço Kostën në nivele të letërsisë në zhanrin e prozës së shkurtër europiane të ditëve tona. Në novelën shumëplanëshe “ Shtëpia në kufi” vihen re të gjitha këto përzjerje stilistike, ku nuk mungon dhe stili epistolar.

Të tregosh, të shkruash tregim, nuk është njëlloj me rrëfimin. Të shkruash në prozë të shkurtër, siç janë prozat e vëllimit të Koço Kostes “Vdekja e kaut”, me këto stile të ndërmjetme, nuk është e lehtë. Eshtë pikërisht ky fakt, që unë nuk dëshiroj ta krahasoj me asnjë autor të Shqipërisë apo të huaj, siç veprohet rëndom në analiza letrare, në promovime apo gazeta e rrjete sociale.

Libri “Vdekja e kaut” i Koço Kostës është një risi në gjininë e prozës së shkurtër dhe i urojmë librit udhëtim të mbarë dhe autorit jetë të gjatë e krijimtari të begatë.///

error: