SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Presidenti Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend, Marrëveshjen për administrimin e Butrintit: Cenon Kushtetutën.

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend marrëveshjen për administrimin e Parkut të Butrintit. Në dekretin e firmosur nga kreu i shtetit, Meta thotë se kjo marrëveshje “cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës”.

“Cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar; Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO; Bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.

Meta thekson se praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, “rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij; Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje;

Shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre; Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian”.

D E K R E T I

PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 50/2022
“PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR ADMINISTRIMIN E NËNZONAVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE DHE PEIZAZHIT KULTUROR, PJESË E PARKUT KOMBËTAR TË BUTRINTIT, NDËRMJET MINISTRISË SË KULTURËS DHE FONDACIONIT PËR MENAXHIMIN E BUTRINTIT”

Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,

D e k r e t o j:

Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Nr. Dekretit 13703
Tiranë, më 20.06.2022

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

error: