SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Sarandë.Flukse turistike nga porti, deri tani prenotime nga 28 kroçera

Saranda, një nga portat që hap për vizitorët jugun e vendit, pret çdo vit mijëra turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët mbërrijnë në port edhe me kroçera.

Edhe për këtë vit Saranda ka mirëpritur kroçerat e para me turistë duke u dëshmuar si qytet me sezon të hershëm turistik veror.

Drejtori i portit të Sarandës, Admir Malaj tha për ATSH-në se për vitin 2026 porti i Sarandës deri tani është rezervuar nga 28 kroçera, duke shtuar se në muajt në vijim pritet që ky numër të rritet sërish duke shënuar një fluks të lartë turistësh për këtë sezon turistik.

Sipas tij, gjatë muajit mars në port mbërritën dy kroçera që sollën mbi 5 mijë turistë nga vende të ndryshme të botës.

Sa i përket mbarëvajtjes së sezonit turistik dhe masave të marra, Malaj tha se porti ka shtuar forcën e sigurisë dhe bashkëpunimin me policinë kufitare, kapitenerinë dhe drejtorinë e Doganës Sarandë.

“Nga Saranda drejt Korfuzit vitet e fundit është shtuar edhe numri i trageteve dhe linjave, për shkak të fluksit të lartë të njerëzve”, shpjegoi ai.

Ndërsa sa i takon numrit të udhëtarëve gjatë muajve janar-mars të këtij viti, Malaj tha se në tre muajt e parë të vitit ka pasur një rritje prej 209% krahasuar më të njëjtën periudhë të 2025.

“Konkretisht në janar-mars në portin e Sarandës kanë hyrë 10 969 shtetas dhe kanë dalë 11 234, në krahasim me 5 199 që kanë hyrë në janar-mars 2025 dhe 5421 që kanë dalë. Në total numri i hyrje-daljeve në tre muajt e parë të vitit ka qenë 22 203, pra kemi një rritje me 209% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025. Ndërkohë vetëm në muajin mars të këtij viti kanë hyrë në port 8 522 shtetas”, tha Malaj.

Saranda me plazhet me ujë të kristaltë dhe monumentet arkeologjike dhe natyrore vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj. Gjatë vitit që lamë pas Porti i Sarandës, i cili është porta hyrëse e qytetit bregdetar nga janari deri në dhjetor të 2025  përpunoi 754 686 udhëtarë.//Klodi Saraçi///

error: