SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Shpërthim në portën e banesës së Armand Dukës në Durrës, reagime

Mbrëmjen e sotme në hyrje të shtëpisë në Durrës të presidentit të FSHF-së Armand Duka ka ndodhur një shpërthim eksplozivi. Policia e qytetit bregdetar njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 22:10, në lagjen nr. 4, Durrës.

Po sipas policisë, lënda plasëse ishte vendosur para portës së Armand Dukës. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale në portën e jashtme të banesës. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Meta: Të zbardhet ngjarja e rëndë

Pas këtij lajmi ka reagur presidenti Ilir Meta, i cili ka dënuar me forcë këtë ngjarje.

“Dënoj me forcë aktin terrorist në familjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe u bëj thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë.

Një akt i tillë kriminal, në vijim të dhunës verbale, shantazhit dhe presioneve publike, shton emergjencën për ndalimin sa më parë dhe nxjerrjen para drejtësisë të frymëzuesve dhe autorëve”, theksoi Meta në reagim.

Basha: Degradim i një pushteti të korruptuar

Edhe kreu i PD, Lulzim Basha, reagoi pas shpërthimit në banesën e familjes Duka.

“Zhvillimet rreth FSHF-së, tregojnë edhe njëherë degradimin e një pushteti të korruptuar që qëllim të vetëm ka zaptimin me çdo mjet, të çdo institucioni. Strategjia e tensionit e shpalosur ditën e sotme, që kulmoi me eksplozivin e vendosur këtë mbrëmje në banesën e familjes Duka duhet të ndërpritet me urgjencë dhe drejtësia të mos qëndrojë duarkryq”, tha Basha.

Veliaj: Të hetohet ngjarja dhe të vendosen para drejtësisë autorët

Gjithashtu edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për  shpërthimin e tritolit në shtëpinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Dukës.

Veliaj ka deklaruar se ai është kundërshtari dhe jo armiku i tij. Ndërsa shtoi që institucionet ligjzbatuese të bëjnë detyrën teksa i bëri thirrje policisë e prokurorisë që të hetojnë ngjarjen dhe të vendosin para drejtësisë autorët.

“Duhet urgjent policia, prokuroria dhe kamerat, të sigurohet jeta e kujtdo, ai është kundërshtari im, jo armiku im. Ai ka bërë shumë gjynahe, por kjo është vepër kriminale e dënueshme. I bëj thirrje policisë, prokurorisë, shërbimit informativ, të gjithë strukturave ligjzbatuese në Shijak apo ku është rasti konkret i zotërisë, t’i sigurojnë jetën, t’i garantojë qetësinë familjare sepse nuk ka lidhje fare shtëpia dhe familja me çfarë bën secili prej nesh në aktivitetin publik. Thirrja ime është që jo vetëm të zbulohen sa më parë, në mënyrë të pamëshirshme me këdo që bën gjeste të tilla”, është shprehur Veliaj.///

error: