Kombëtarja shqiptare fitoi 1-0 mbrëmjen e sotme me Letoninë, në stadiumin “Air Albania”, në ndeshjen e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës SHBA-Meksikë-Kanada 2026.
Trajneri i Kombëtares Silvinjo hodhi në fushën e lojës formacionin me Strakoshën në portë, Hysajn, Gjimshitin, Ajetin, Mitajn në mbrojtje; Shehun, Asllanin, Laçin në mesfushë dhe Brojën, Manajn dhe N. Bajramin në sulm.
Ndërsa trajneri i Letonisë, Paolo Nicolato hodhi formacionin me Zviedris, Balodis, Černomordijs, Dašķevičs, Varslavān, Jurkovskis, Cigaņiks, Zelenkovs, Vapne, Šits, Meļņik.
Në minutën e 4-t Bajrami provoi me një gjuajtje në hyrje të zonës, por tentativa e tij shkon jashtë.
Në të 9-ën Hysaj hodhi një krosim drejt zonës, me Laçin që tenton me kokë, por tentativa e tij shkon mbi kuadrat.
Në minutën e 25-të Kombëtarja kaloi në avantazh, me Asllanin, i cili shndërroi në gol një penallti të fituar nga Laçi, i cili hodhi një krosim në zonë dhe topi u ndal me dorë nga kundërshtari.
Në minutën e 30-të Kombëtarja pati një tjetër rast për shënim. Aksion i bukur nga kuqezinjtë, me Manajn që godet me të majtën, por topi shkon jashtë.
Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim teksa me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë Shqipëria krijoi rastin e parë për shënim në minutën e 52-të, teksa Hysaj krosoi nga krahu i djathtë, por Bajrami goditi jashtë.
Kombëtarja kërkon golin e dytë, teksa në të 56-ën Laçi hodhi një krosim drejt zonës me topin që mbeti aty, por Gjimshiti nuk goditi siç duhet.
Trajneri Silvinjo kërkon t’i japë freski skuadrës teksa fut në lojë Arbër Hoxhën në vend të Nedim Bajramit dhe më pas edhe Mirlind Dakun dhe Adrion Pajazitin në vend të Rey Manajt dhe Qazim Laçit.
Në minutën e 86-të rast i mirë për shënim për Letoninë, por Mitaj largoi një top mbi vijën fatale.
Minutat e mbetura nuk prodhuan emocione, teksa Shqipëria fitoi 1-0 një ndeshje që mban gjallë shpresat për kualifikim në Botëror.
Në ndeshjen tjetër të grupit Anglia fitoi 0-5 në transfertë ndaj Serbisë.
Aktualisht Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 8 pikë, Serbia e treta me 7 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur. Anglia kryeson grupin me 15 pikë, ndërsa Letonia është me 4 pikë.
Pragsfida Shqipëri-Letoni, Foto: Andrin Hoxha (Gjergji MIMA).///






















ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.