SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Nga Prof. dr. Valter Memisha*/

Të nderuar miqtë e mi, të nderuar dashamirë të gjuhës shqipe dhe të kulturës sonë kombëtare, përshëndetje. Sot, më datën 30 tetor 2020, Departamenti i Gjuhësisë, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, UT, organizoi Konferencën shkencore ndërkombëtare “Shaban Demiraj, personalitet i gjuhësisë, i arsimit dhe i kulturës shqiptare”.Nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, veç meje, morën pjesë dhe prof. dr. Anila Omari, prof. dr. Tomorr Plangarica, prof. as. dr. Evalda Paci dhe prof. as. dr. Adelina Çerpja, të cilët i falënderoj për kumtesat cilësore dhe me prurje të vlerësueshme.

Më poshtë po jap Fjalën time përshëndetëse në Konferencë:

Të nderuar të pranishëm,Më lejoni që në emër të Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe veçanërisht në emër të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të përshëndes punimet e kësaj veprimtarie kushtuar akademikut Shaban Demiraj, njërit nga figurat më të spikatura të mbarë botës shkencore shqiptare.

Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që ditën e parë të krijimit të saj, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, lauruar me Çmime të Republikës, dekoruar me urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës” dhe vlerësuar si “Mësues i Popullit”, emri i tij është i lidhur pazgjidhshmërisht me shqipen, me historinë dhe me të tashmen e saj. Ai ka hartuar e botuar shumë vepra shkencore (19 monografi e qindra artikuj shkencorë ose mbi 10.000 faqe produkt shkencor), përmes të cilave identifikohet kontributi i tij i jashtëzakonshëm e themelvënës në albanologji, ashtu si identifikohen dhe vetë shkencat albanologjike përmes tij.

Akademik Shaban Demirajështë një nga personalitetet shkencore përcaktuese që e bënë Tiranën qendrën kryesore të studimeve albanologjike, njëkohësisht ai është një nga zërat më me peshë në paraqitjen e shkencave tona në botë.Akademik Sh. Demiraj e zhvilloi veprimtarinë e tij shkencore mes kolegësh ku bashkëpunimi dhe kërkesat shkencore ishin parësore.

Ai punoi me Aleksandër Xhuvanin, Kostaq Cipon, Eqrem Çabejn, Mahir Domin, Selman Rizën, Osman Myderrizin, Stefan Priftin, Androkli Kostallarin, Spiro Floqin, Idriz Ajetin, Besim Bokshin, Remzi Nesimin, Anastas Dodin, Jorgji Gjinarin, Ethem Likën e të tjerë. Ai njohu me themel prurjet në albanologji, i zgjeroi dhe i thelloi ato, i plotësoi dhe i çoi ndjeshëm më tej, mbajti qëndrim kritik dhe sintetizoi arritjet e gjuhëtarëve vendës e të huaj, krijoi hapësira të reja kërkimi dhe i kurorëzoi me arritje të vlerësuara. Vepra e tij peshon dhe peshon rëndë.

Ajo është kthyer në dije referuese dhe në dije institucionale, ashtu si mbetet parësore në gjedhen e metodës së studimit dhe të kërkimit shkencor.Akademik Sh. Demiraj bën pjesë në plejadën e albanologëve, që u morën drejtpërdrejt me historinë e shqipes dhe vendin e saj mes gjuhëve indoevropiane.

Nëse akademiku E. Çabej iu qas origjinës së saj përmes studimeve etimologjike, akademiku Sh. Demiraj iu qas përmes strukturës gramatikore. Dhe të dy e bën të plotë, të vetëqëndrueshme dhe ta parrëzueshme dijen shkencore për origjinën e historinë e saj.

Ashtu si kishte bërë profesori i tij, akademiku E. Çabej, prof. Shaban Demiraj futet atje ku dokumenti mungon, ku historia është e mjegullt e ku parahistoria e errët. Ai hyri në shekujt e shqipes dhe hartoi vepra të cilat do t’u qëndrojnë shekujve.

Puna e akademikut Sh. Demiraj, e begatë dhe cilësore si e rrallëkujt, bëhet pikë ballafaqimi për ata pseudofilologë a pseudoatdhetarë që përpiqen të na ofrojnë zbulesa, metoda a arritje që vetëm shkencore nuk mund të quhen ose që nga padija e tyre na i shesin si prurje që duhet të ndryshojnë dijen tonë për shqipen e historinë e saj.E veçantë është ndihmesa e akademik Shaban Demiraj në punën shkencore të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Mjafton të përmend këtu punën e akadamikut pas 1972, vit u krijua ky institucion.

Profesori ka ndihmesën bazale në hartimin e Gramatikës së gjuhës shqipe, Morfologjia. Ai ka qenë anëtar i redaksisë së Studimeve filologjike, që kur u themelua revista.

Produkti i tij në faqet e saj përsëri mbetet parësor. Është studiuesi që ka botuar më shumë se kushdo tjetër në faqet e saj, 54 artikuj e recensa, që karakterizohen nga niveli i lartë shkencor, nga sistematika parashtruese, nga forca e argumentit, nga qëndrimi kritik skrupuloz, nga shumësia e fakteve, nga përqasjet e lëndës në trajtim me atë të shumë gjuhëve, me gjuhë të vjetra (latinishte, greqishte e vjetër, gjermanishte e vjetër, tokarishte, hetitishte, sanskritishte etj.), por edhe me gjuhë të gjalla, indoevropiane (rumanishte, greqishte, anglishte, frëngjishte, gjuhët sllave të jugut etj) a joindoevropiane (turqishte etj.),.

Akademik Sh. Demiraj, përmes prurjeve në Albanologji, ia rriti vlerat kombit shqiptar, duke u kthyer njëherazi dhe vetë në vlerë kombëtare. E tashmja e ka pohuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm e të pazëvendësueshëm, kurse e ardhshmja do ta ridimensionojë shumë më fuqishëm atë.Suksese Konferencës!Faleminderit!

/*Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë///

error: