SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

22 Nëntori, dita që na mban bashkë!

Nga Lutfi DERVISHI

Nëse ka një mrekulli që ia vlen ta besosh, është mbijetesa e gjuhës shqipe.

Gjuha jonë ka kaluar shekuj duke sfiduar çdo perandori dhe çdo alfabet që i kanë hedhur përpara.

E shkroi prifti katolik në latinisht, e rimori poeti mysliman në arabisht, e ruajti ortodoksi me shkronja greke e ndonjëherë cirilike. Një popull, tri fe, katër alfabete… dhe një gjuhë që nuk u dorëzua kurrë.

Pastaj erdhi 22 Nëntori i vitit 1908, dita kur shqiptarët vendosën të shkruajnë njësoj. Jo për t’i bërë qejfin ndokujt, por për t’u bërë komb. Kongresi i Manastirit nuk ishte akt i një grupi të vetëm, por triumf i bashkimit: myslimanë, ortodoksë, katolikë, të ulur në të njëjtën tryezë, duke zgjedhur të ardhmen përpara çdo dallimi fetar. (Ashtu siç tha rilindasi Vaso Pasha më 1878: feja e shqiptarit është shqiptaria)

Dhe mes tyre, u dëgjua dhe zëri i grave që shpesh harrohet, si Parashqevi Qiriazi, që dëshmoi se gjuha është çështje kombi, jo vetëm “punë burrash”.

Shqiptarët u bënë kombi i parë me shumicë myslimane që hoqën dorë nga alfabeti arab dhe zgjodhën alfabetin latin. Nuk ishte thjesht zgjedhje letrare…

Fakti që gjuha shqipe mbijetoi për më shumë se dy mijë vjet përballë latinishtes, greqishtes, sllavishtes së kishës, osmanishtes e arabishtes nuk është thjesht historik, është karakter dhe dëshmi e një gjeni rezistent.

Prandaj sot, kur festojmë Alfabetin, nderimi më i madh nuk janë ceremonitë, por është detyra jonë e përditshme: të shkruajmë shqip, saktë, pastër, me kujdes… të paktën aq mirë sa e shkruan edhe një program inteligjence artificiale./(sarandaNews.al).///

error: