Ligji për zonat e mbrojtura, Kumbaro: Garanton balancën mes nevojës për zhvillim dhe mbrojtjes së mjedisit
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot se ligji i ri për zonat e mbrojtura “përcakton kërkesa më strikte për çdo zonë të mbrojtur”, duke synuar gjetjen e balancës së duhur midis nevojës për zhvillim në disa zona me kritere të forta dhe mbrojtjes së mjedisit.
E ftuar në një emision televiziv, Kumbaro vuri në dukje se projektligji përfundimtar që u votua ka pasur shumë përmirësim nga drafti që u iniciua. “Deputetët morën në konsideratë edhe mendimin e organizatave mjedisore dhe duke gjetur një ekuilibër më të qëndrueshëm midis interesave të ekonomive lokale. Të gjithë duhet të kemi shumë respekt për botën e biznesit, sepse janë ata që investojnë, krijojnë punësim dhe sjellin të ardhura për buxhetin e shtetit. Të anatemosh ata njerëz që investimet e tyre i hedhin në këto sektorë, do të thotë në radhë të parë të jesh dritëshkurtër, ose nuk e duan këtë vend. Unë nuk besoj se ka shqiptar që nuk e do këtë vend, kështu që rrimë tek dritëshkurtësia”, tha Kumbaro, duke iu referuar reagimeve të opozitës.
Kumbaro u pyet edhe për ndërtime të mundshme në Parkun Kombëtar të Divjakës.
“Parku Kombëtar i Divjakës është një nga lagunat tona më të jashtëzakonshme. Në ligjin e ri është theksuar që ekosistemet në sipërfaqen ujore janë më të rëndësishme dhe nuk duhet të preken. Një ndër përmirësimet që sjell nënvizon nevojat për kërkesën më strikte për çdo zonë të mbrojtur”, tha ajo.
Sipas ministres, “ligji i vitit 2017, vendosi për herë të parë rregulla”. “Por realitetin duhet ta ndjekim nga pas për të gjetur balancën e duhur midis nevojës për zhvillim në disa zona me kritere të forta dhe mbrojtjes së mjedisit. Këto kritere do të kalojnë në katër filtra, agjencia e mjedisit, ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe më pas qeveria”, u shpreh ajo.
Kumbaro foli edhe për parkun arkeologjik të Butrintit, duke theksuar se synimi është që të ardhurat të riinvestohen. “Kultura ose trashëgimia kulturore nuk mund të jetë thjesht një dekor. Një nga mënyrat janë edhe fondacionet, të cilat nuk do të thotë se janë ndërmarrje private. Janë fondacione kulturore që i krijojnë mundësi një siti të trashëgimisë kulturore që të krijojë të ardhura dhe ato të ardhura t’i riinvestojë brenda për brenda dhe fondacioni është një formë menaxhimi që e krijon këtë mundësi”, sqaroi ministrja.
Duke folur mbi zhvillimet rreth turizmit në vend, Kumbaro u shpreh se “Shqipëria i ka kaluar pritshmëritë e saj pas pandemisë”.Ajo theksoi se numërimi i turistëve bëhet duke marrë në konsideratë pasaportat e huaja që hyjnë në vend. Për sa i përket artikujve për Shqipërinë në mediet ndërkombëtare, Kumbaro u shpreh se pas tyre nuk ka një sponsorizim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, por ka qenë iniciativa e vetë medieve dhe gazetarëve të huaj. Kumbaro foli edhe për çmimet në sektorin e turizmit duke thënë se Shqipëria ofron çmime më të ulëta për shkak se është një treg i ri, por theksoi se ashtu si vende të tjera, me kalimin e kohës në këtë industri do të ketë edhe një rritje të çmimeve.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit