Në qytetin bregdetar të Sarandë, i cili gjatë sezonit turistik tërheq mijëra turistë vendas e të huaj, vazhdojnë me ritme të larta punimet për rikualifikimin urban të shëtitores përgjatë bregut të detit.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantierin mbresëlënës të Lungomares së re të Sarandës, e cila sipas tij këtë sezon turistik do t’i mikpresë pushuesit e shumtë me një transformim të madh e me një plazh të risistemuar , përgjatë një shëtitoreje plot hapësirë në një vijë 1.1 km.
Falë investimit të kryer, kryeministri Rama u shpreh se qyteti ka marrë tjetër pamje dhe shëtitorja do të kthehet në një hapësirë publike shumëfunksionale në shërbim të banorëve e pushuesve gjatë sezonit veror.
Kryeministri kërkoi shtim të gjelbërimit, ndërsa sugjeroi mbjelljen e pishave, për bukurinë që kanë por edhe për shkak se janë pemë jetëgjata.
Kreu i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma informoi se Saranda vizitohet nga turistë të huaj kryesisht norvegjez e suedez përgjatë gjithë vitit ndërsa turistët kryesisht nga Ukraina dhe Serbia janë të pranishëm gjatë sezonit veror.
Kreu i bashkisë theksoi se në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore do të ndërhyhet edhe në kalatën e portit të Sarandës për të bërë të mundur ankorimin e krociereve, që aktualisht e kanë të pamundur të ankorohen.
Projekti parashikon edhe restaurimin e fasadave në gjithë gjatësinë me qëllim përmirësimin e estetikës.
Në shëtitore do të mbizotërojnë elementë që e ruajnë identitetin e qytetit si për shembull porta hyrëse e Onhezmit, skulptura të realizuara nga artistë lokalë, sheshi i shatërvanit, pemët ekzistuese dhe zonat e gjelbra, pishina e hapur, etj.
Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon, konsiderohet si një nga vendet më të bukura të rivierës shqiptare dhe nga destinacionet më argëtuese. I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit.
Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit tërheq turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare. ///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI