SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Hetimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të larguar nga Vetingu, kërkesë e kahershme e BE-së

Në konferencën e përbashkët për mediet pas përfundimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj interesit të medieve në lidhje me Reformën në Drejtësi dhe hetimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të larguar nga vetingu.

Rama tha se “kërkesa për të hapur procese dhe për të ndëshkuar gjykatës dhe prokurorë të cilët janë përjashtuar nga Vetting-u për pasuri marramendëse të pajustifikuara është një kërkesë e kahershme tanimë e BE-së dhe është një kërkesë e natyrshme e Bashkimit Evropian që në këtë rast është në sinkron të plotë me kërkesën e natyrshme të gjithë popullit shqiptar që e mbështeti fuqimisht Reformën në Drejtësi”.

“Një nga momentet e rralla në historinë tonë të re ku shqiptarët i kapërcyen kufijtë e partive dhe masivisht mbështetën Reformën në Drejtësi duke mbështetur Vetting-un dhe duke kërkuar që përmes Vetting-ut të shkohet në ndëshkim të të gjithë atyre që sistemin tonë të drejtësisë e kishin kthyer në një pazar të turpshëm, ku e drejta shitej e blihej. Kështu që unë besoj se tanimë e kanë mësuar si funksionon BE, Komisioni Evropian dhe se si çdo gjë e shkruar është pjesë e memories së Komisionit dhe çfarë thuhet sot nuk harrohet nesër, por çfarë thuhet se duhet bërë sot përsëritet nesër, pasnesër, për vite të tëra, deri sa të bëhet, sepse kështu funksionon ky proces”, tha ai.

Në mbyllje Rama iu referua deklaratës së Komisionerit për Zgjerim.

“Negociatat për anëtarësim janë në vetvete një instrument transformimi i përditshëm. Arsyeja pse i kemi kërkuar me aq ngulm është se nuk ka të bëjë me objektivin për të shkuar në anëtarësim të plotë, por ka të bëjë njëkohësisht me faktin se negociatat janë një transferim dijeje i pazëvendësueshëm dhe që nuk e gjen dot në asnjë realitet tjetër të botës politike. Për këtë arsye edhe Komisioneri e nënvizoi dhe duhet ta kemi parasysh se çdo hap në negociata, duke nisur nga çdo kërkesë e negociatave, përbën një vlerë të shtuar dhe një mundësi të re për të çuar përpara gjithë aspektet e jetës së vendit”, tha Kryeministri Rama.///

error: