Shpronësimi, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i projektit “Studim projektim By-Pass Tepelenë, loti 1”, i hap rrugë zbatimit të këtij investimi të rëndësishëm në infrastrukturën rrugore të vendit.
Sipas vendimit që miratoi së fundi qeveria, shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen me vlerë të përgjithshme prej 23 946 990.99 lekësh, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë jo banimi”.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2020, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 lekë, përballohen nga kjo Ministri.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është 3 muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
Vendimi parashikon se Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tepelenë, jo më vonë se 30 ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Ndërkohë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tepelenë, pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi.
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI