Opozita e Bashkuar ka reaguar në lidhje me çështjen e ndryshimeve kushtetuese.
Në njoftimin e Opozitës së Bashkuar thuhet se “propozimi i PS për ndryshime të njëanshme të Kushtetutës, të cilat lidhen me zgjedhjet, haptazi, dhunon Marrëveshjen e 5 Qershorit, si dhe Marrëveshjen Politike të 14 Janarit”.
“Këto ndryshime kushtetuese, në veçanti, zhbëjnë disa nene të Marrëveshjes së 5 Qershorit, përmes të cilave, jo vetëm ruhen koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, por edhe çdo parti brenda koalicionit vazhdon të ruajë të drejtën dhe mundësinë të konkurrojë me listat e veta të veçanta. Këto ndryshime të njënanshme të PS ndryshojnë drejtpërdrejt elementë thelbësorë të sistemit zgjedhor me impakt në rezultatin zgjedhor dhe, gjithashtu, ndryshojnë të gjithë procesin e administrimit zgjedhor”, shprehet opozita.
Opozita e Bashkuar thekson se është shprehur qartë se “nuk është dakord me ndryshimet kushtetuese të njëanshme, që ju po përpiqeni të impononi, përmes një procesi të mbyllur dhe ku keni përjashtuar partitë politike të Opozitës, të cilat, edhe në zgjedhjet e deformuara të 2017, përfaqësojnë gjysmën e votuesve”.
Edhe sot, vijon njoftimi i opozitës, në Parlament, Kryeministri Rama u shpreh kundër dialogut dhe pro ndryshimit të njëanshëm kushtetutes, duke e quajtur atë çështje të mbyllur. Kjo tregon se përkundër vullnetit të Opozitës së Bashkuar për të vazhduar dialogun politik mes palëve në mirëbesim në Këshillin Politik, Partia Socialiste vazhdon të sillet me logjikën e “faktit të kryer”.“Propozimi juaj i njëanshëm kushtetutës e bën fakt të kryer: 1. Mundësinë që hapja e listës të jetë vetëm për 2/3 e saj dhe jo 100 % e listës të jetë detyrimisht e hapur. 2. Heqjen e koalicioneve parazgjedhore si subjekt zgjedhor, siç janë të garantuara sot në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, duke ndryshuar në këtë mënyrë edhe formulën e përllogaritjes së mandateve; 3. Mundësinë për të ndryshuar ndarjen administrative të zonave zgjedhore dhe organizimit elektoral”, thuhet në njoftim.
“Heqja nga Kushtetuta e koalicioneve parazgjedhore përbën ndryshim të njëanshëm të rregullave të garës, 8 muaj përpara zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, ju impononi edhe formulën e koalicioneve që do të detajojë ligji, sepse ligji nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo nënkupton që heqja e koalicioneve parazgjedhore si subjekt zgjedhor nga Kushtetuta, imponon më pas automatikisht edhe heqjen e tyre si subjekt zgjedhor nga Kodi Zgjedhor, duke zhbërë në këtë mënyrë disa nene të Marrëveshjes së 5 Qershorit”, thuhet në njoftimin e opozitës së bashkuar.
“Opozita e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë për dialog, ndaj ju ftojmë që edhe Partia Socialiste të heqë dorë nga refuzimi i dialogut i deklaruar nga Kryeministri Rama sot në Parlament, të hiqni dorë nga aktet e njëanshme dhe të jeni të hapur për dialog, që nesër në mbledhjen e rradhës së Këshillit Politik”, thuhet në njoftimin e opozitës së bashkuar.//ata///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade
Rregullat për plazhet. Zbardhet kontrata e re, gjoba deri në 400 mijë lekë dhe rastet kur prishet kontrata