SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

FOKUS. ..Kur në shkallaret tona hyri magjia e ekranit

Nga Vangjel AGORA

(Pjesa e dytë)- Para viteve 90 njerëzit gëzuan një Sarandë intime, të ngrohtë e të bukur familjare, plot hijeshie. Saranda natyrisht nuk ishte kjo e sotmia, as në sipërfaqe, as edhe në numurin e banorëve. Ishte shumë më i zvogëluar në këto dy tregues, por çuditërisht vendasit nuk heqin dorë nga e kaluara e tyre.

Pranë limanit në krahun e majtë kur zbret poshtë ndodhej kinemaja verore, në fund të shkallareve së bashku me bar kafe “Leningradi”, (Riviera). Një kinema modeste me karrige druri ku si ekran shërbente faqja anësore e kafes” Leningradi” që quhej atëherë, shfaqeshin filma me ekran të gjerë e me ngjyra në verë çdo dy orë porsa ngrysej dhe njerëzit zinin radhë prej orësh dhe shtyheshin për një bilet. Mbresa dhe emocione pa fund.

Për kinemanë, sigurisht në ato vite ku ende në mungesë të televizorëve, kishte interes të jashtëzakonshëm. Filmat si “Tre Moskëtjerët”, “Elena e Trojës”. “Biri i Spartakut” dhe plot të tjerë, ku luanin Zhan Mare, Zhan Gaben, Zherar Filip, Antoneta Lualdi, Raf Valone, aktorët e famshëm të Hollivudit si Stivi Rives dhe Silvestër Stalonen, i ndiqnim me kureshtje të madhe. Më kujtohet që në pamundësi si fëmijë për t’u futur pa biletë mbasi i luteshim Saliut, (Llanos) ose Harilla Roshit, (punonjës të kinemasë) të cilët nuk na begenisnin; e gjenim zgjidhjen duke e parë filmin ose nga lartësia e pishës pranë lulishtes ”Butrinti”,(që sot nuk ndodhet më) ose nga tarraca e madhe e shokut tonë, Ylli Muho, (i ndarë nga jeta para pak kohe), i biri i Balil Muhos. Ndonëse shikonim një të tretën e ekranit, ku përgjysmoheshin personazhet dhe veprimet filmike, në pa mundësi për të parë ekranin e plotë, fillonim dhe fantazonim pjesët që nuk mundeshim t’i shikonim. Por kënaqësia që arrinim ta ndiqnim filmin qoftë edhe të cunguar përpara shumë bashkëmoshatarëve tanë, ishte e madhe.

Në fillim të viteve ’70,te shkallaret e qytetit tim po trokiste një mrekulli e panjohur për ne fëmijët: TELEVIZORI. Deri atëherë e kishim dëgjuar vetëm si emër, si diçka që ekzistonte diku larg, por askush prej nesh nuk mund ta përfytyronte se një kuti e vogël do të ishte në gjendje të na hapte një dritare drejt botës.

Televizorin e parë në lagjen tonë e solli Stefani, babai i Pandi Çaçit, një burrë fisnik, gjithmonë i buzëqeshur e zemërbardhë, drejtor i Peshkimit në atë kohë. Gjatë një udhëtimi në Itali kishte mundur të blinte një televizor, i cili shumë shpejt u kthye në pasurinë më të çmuar jo vetëm të familjes së tij, por të gjithë fëmijët e shkallareve. Ditën që mora vesh se te Pandi kishte ardhur televizori, mezi prita të shkoja ta shihja. Mora për dore edhe vëllain tim të vogël, Nestin, dhe u ngjitëm me nxitim shkallareve. Sapo hymë në dhomë, ai, me pafajësinë dhe kureshtjen e një fëmije, iu afrua ekranit aq pranë, sa u ul vetëm një pëllëmbë larg tij. E shikonte i mahnitur, sikur donte të hynte brenda asaj bote që lëvizte para syve të tij.

As sot nuk e harroj atë pamje. Ishte çudia e një fëmije që po takonte për herë të parë mrekullinë e teknologjisë.

Sa vinte mbrëmja, shtëpia e tyre mbushej me zëra fëmijësh. Uleshim ku të gjenim vend, mbi karrige, në dysheme, pranë mureve, vetëm për të mos humbur asnjë çast nga ajo magji që vinte nga ekrani. Aty pashë për herë të parë televizionin italian RAI. Në ato vite sinjali i tij arrinte fare mirë në Sarandë, falë një përforcuesi të vendosur në kodrën e Lëkurësit. Regjimi ende nuk e kishte kuptuar se ajo dritare e vogël do të sillte tek ne jo vetëm filma e këngë, por edhe një mënyrë tjetër për të parë botën. Më vonë, kur propaganda zyrtare do ta shpallte televizionin perëndimor si “armik ideologjik”, ishte tashmë vonë. Farat e kureshtjes kishin mbirë.

Ne ndiqnim gjithçka me të njëjtin pasion: filmat, koncertet, emisionet, madje edhe reklamat. Çdo figurë që shfaqej në ekran na dukej një mrekulli. PËR NE, AJO BOTË BARDHEZI KISHTE MË SHUMË NGJYRA SE VETË REALITETI YNË. Kështu që edhe me ndërprerjen e përforcimit të sinjalit televiziv, filluan të sajoheshin e të çoheshin antenat sa më lart për të kapur sinjalet e valëve të televizionit italian.

Një vit më pas, në vitin 1972, erdhi edhe gëzimi ynë. Të afërmit e nënës sime, që jetonin në Jugosllavi, na dërguan një televizor. Ishte një ditë që nuk do ta harroj kurrë. Tashmë edhe shtëpia jonë u bë vendtakim për fëmijët e lagjes. Shkallaret, që deri dje zbrazeshin drejt shtëpisë së Pandit, tani ndaheshin në dy e tre drejtime. Gëzimi ishte i njëjtë, kureshtja po aq e madhe. Në një kohë me mua edhe shoku im Zef Mosi mundi të siguronte një televizor ardhur nga Italia e kështu me radhë, në vitet që pasuan edhe fëmijët e tjerë patën mundësin të kishin në shtëpitë e tyre televizor, mbasi shteti shqiptar filloi montimin e tyre në Durrës, por nuk ishte e lehtë sigurimi i tij.

Pak më vonë, mbi ekranet tona filloi të shfaqej edhe sinjali i televizionit grek . . Kjo u bë e mundur falë antenës së madhe përforcuese të vendosur në majën e malit Panodokratoras, në Korfuz, përballë Sarandës. Edhe sot ajo antenë dallohet qartë nga qyteti ynë, si një dëshmitare e heshtur e atyre viteve. Dhe pak më vonë u kapën dhe valët e televizionit shqiptar, mbas përforcimit të sinjalit me një antenë në malin e Sopotit.

Por për mua, televizioni grek kishte një domethënie të veçantë. Gjuhën greke e flisja dhe e kuptoja rrjedhshëm, ndaj nuk humbisja pothuajse asnjë film, pjesët teatrore apo serialet televizive greke. Më ka mbetur i paharruar seriali “Paraksenos Takssidhiotis” – “Udhëtari i Çuditshëm”, ku interpretonin aktorët më njohur grek, njëri prej tyre në rolin kryesor ishte dhe Aleko Aleksandraki, të cilin e prisja me padurim sa herë shfaqej çdo javë si dhe emisionet muzikore të këngëtarëve të njohur Grek Marinela, Pario, Toli Voskopullo, Mitropano, Haris Aleksiou, etj,. Janë këngëtarë dhe këngë që më pëlqenin dhe më pëlqejnë shumë. Këngë të cilat,në mënyrë të veçantë këngët e Parios i këndoja në rrethe të ngushta midis shokëve dhe shoqeve të gjimnazit dhe sot, me miqtë e mi Naçin, Tason, Agimin, etj . Kënga ishte dhe është pasioni dhe kënaqësia ime. Ky pasion dhe kënaqësi më ka ndjekur gjatë gjithë jetës.

Por, përpara se arti të më rrëmbente përfundimisht, zemra ime rrihte fort për një tjetër ëndërr. Doja me çdo kusht të bëhesha oficer i Marinës Tregtare, madje e imagjinoja veten kapiten vapori. Nuk më tërhiqte vetëm profesioni, por më joshte liria që ai premtonte.

Në një Shqipëri të mbyllur hermetikisht, ku dalja jashtë kufijve ishte pothuajse e pamundur, anijet tregtare më dukeshin si ura që të çonin drejt botës. Ky pasion kishte lindur nga pamja madhështore e anijeve të huaja dhe anijeve tona transoqeanike që ankoroheshin përballë Sarandës. Ato sillnin grurë dhe mallra të ndryshme, ndërsa një pjesë e ngarkesës shkarkohej në det të hapur në anijet tona, sepse porti i Durrësit ende nuk kishte thellësinë e nevojshme për t’i pritur. Për mua, ato anije ishin si ambasadore të vendeve të largëta.

I apasionuar pas gjeografisë dhe flamujve të shteteve të botës, sa herë afrohej një anije në radën e Sarandës, përpiqesha të dalloja flamurin që valëvitej në bashin e saj. Mjaftonte ai flamur dhe unë e dija menjëherë se nga cili vend vinte. Në mendjen time niste një udhëtim imagjinar drejt brigjeve që ajo kishte lënë pas. Më dukej se, një ditë, edhe unë do të isha në urën e komandimit të një vapori, duke lundruar nga një kontinent në tjetrin.

Por jeta kishte përgatitur një tjetër kurs për mua.

Sot e kuptoj se ato mbrëmje në ato vite, nuk ishin thjesht orë argëtimi. Pa e ditur, ato po formonin botën time shpirtërore. Shfaqjet teatrale, filmat dhe serialet greke që ndiqja çdo ditë, të ndërthurura me orët e paharrueshme në teatrin e kukullave të qytetit nën drejtimin e xhaxhi Taqos, nisën ngadalë ta zëvendësonin ëndrrën e detit me magjinë e skenës dhe të ekranit. Çdo personazh më dukej një botë, çdo aktor një magjistar, çdo shfaqje një ëndërr që mund të bëhej jetë.

Dhe kështu pa e kuptuar, timoni i anijes ia la vendin skenës së teatrit, ndërsa udhëtimet nëpër dete u shndërruan në udhëtime në botën e personazheve. Ndoshta pikërisht aty, në një nga ato mbrëmje të thjeshta, mes fëmijëve të mbledhur përreth një ekrani bardhezi, lindi pa zhurmë ëndrra që do të më shoqëronte gjithë jetën: të bëhesha aktor. Një ëndërr që, vite më vonë, do të më çonte drejt Akademisë së Arteve dhe skenës, ku do të gjeja shtëpinë time të dytë në të cilën “banova” për 40 vjet rresht deri sa dola në pension.

Por le të vazhdojmë përshkrimin e mënyrës se si ishte ndërtuar ajo lagje dhe kush ishin banorët e saj në pjesën e tretë të kujtimeve të mija. (pas një jave pjesa e tretë).//sarandanews.al//

error: