Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se, “sezoni turistik ia doli të mbijetojë, megjithëse ishte një vit shumë i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, ndërkohë që sezoni turistik nuk ka mbaruar ende”.
Në një intervistë për median Klosi tha se “për turizmin ishte një vit i vështirë. Ndërkohë që nuk bie dakord me lajmet që informojnë fundin e sezonit turistik, apo u mbyll sezoni, pasi duhet t’i falemi motit të mirë dhe të ngrohtë që po nxit ende fluksin e turistëve në vendin tonë, kryesisht nga vendet e Rajonit, si Kosova e Maqedonia”.
“Hotelet e bregut janë ende të frekuentuara në mënyrë të konsiderueshme edhe në mesin e muajit shtator. Bëj apel që sezoni turistik nuk ka mbaruar, kur thamë atëherë deri më 15 nëntor, mbajmë mend që pati shumë ironi nga opozita apo nga njerëz që nuk e kuptojnë këtë industri”, – u shpreh ministri.
Duke iu referuar këtij sezoni turistik ai theksoi se “ja kemi dalë në fakt në këtë sezon jashtëzakonisht të vështirë për turizmin. Katastrofik për vendet e Rajonit dhe të Europës që kanë një turizëm të përqendruar. Ne ia dolëm të mbijetojmë, madje mbijetuam të kemi një turizëm të konsiderueshëm në zonat bregdetare. Nga situata e krijuar nga COVID-19, vuajti këtë sezon Berati, Gjirokastra, Korça, Kruja, pra qytetet që ishin destinacione për turistët e huaj. Por ama nuk mund të them që pati shqetësim në zonën e bregut në Vlorë, në Shëngjin, Velipojë të cilat u frekuentuan jo vetëm nga shqiptarët e Shqipërisë”.
Sipas tij, politika e ndjekur ia doli që ne të kemi një grup të ri turistik në Shqipëri që janë turistët e Rajonit. Pati këtë vit një numër të konsiderueshëm turistësh nga Serbia, Maqedonia, nga Bosnja, Bullgaria e Mali i Zi.
“Pra Shqipëria u shndërrua në një destinacion dhe ky është një lajm shumë i mirë për një turizëm që do të qëndrojë ende”, – tha ministri Klosi.
“Për sa i përket muajve të mbylljes nga Covid padyshim që shifrat ishin 0. Ndërsa në muajt qershor, korrik dhe në gusht shkuan në 40% numri i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri si zakonisht. Ndërsa në 15 ditët e para të shtatorit ne kemi rreth 70% të numrit të të huajve që kanë hyrë në vendin tonë, ose rreth 230 mijë pasaporta të huaja kryesisht nga vendet e Rajonit, që kanë hyrë në vendin tonë”, – u shpreh Klosi.
Duke iu referuar bilancit të hyrje daljeve, Klosi theksoi se numri i shqiptarëve që kanë dalë jashtë është minimal dhe buxheti i shpenzuar i papërfillshëm, kundrejt hyrjes së të huajve në vendin tonë.
“Dy ishin mesazhet për turizmin, që dolën nga situata e pandemisë: e para, që shqiptarët njohën Shqipërinë, potencialin e madh turistik të vendit dhe në këtë kuadër filozofia që ndoqëm për njohjen e bregdetit shqiptar si destinacion të mundshëm pati efekt, nga vizitorët e rajonit. Së dyti, thirrja emergjente që sa shumë nevojë kemi ne për struktura akomoduese, pasi me këtë fluks të turistëve të brendshëm dhe atyre nga Rajoni, që po e bëjnë zgjedhje Shqipërinë për turizëm kërkojnë zgjerim të strukturave akomoduese”.
Klosi theksoi se turizmin në Shqipëri e favorizojnë ndër të tjera edhe çmimet e arsyeshme dhe kulinaria tradicionale.
“Risi në këtë sezon turistik ishte edhe zgjerimi i hapësirave publike ku pushuesit frekuentonin plazhin pa kosto dhe në disa bashki pati shërbime për mbajtjen e plazheve pastër. Pra oferta për plazhin publik ka qenë e përmbushur në shumë drejtime”, – tha Klosi.
Klosi evidentoi faktin se, nga të gjithë turistët e huaj që vizituan vendin tonë nuk pati asnjë rast të infektuar në hotelet shqiptare, çka na rriti reputacionin “Shqipëria vend i sigurt për turizëm”.///
ME SHUME LAJME
PE vlerëson punën për territorialen, Mazniku: Nevojë për qasje të re ndaj sfidave të pushtetit vendor
Sot 5 maji, Dita e Dëshmorëve
“Chase Travel”: Riviera Shqiptare, destinacioni më “hot” i verës 2026