Nga Eva XHAJANKA
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka inspektuar sot në terren situatën e rënduar nga përmbytjet në zonën e Urës së Mifolit, Fier të shkaktuara nga reshjet intensive.
Balluku bëri të ditur se prioritet është shpëtimi i gjësë së gjallë, ndërsa informoi se Kryeministri po përgatit një paketë dëmshpërblimi që do të përfshijë si banesat, ashtu edhe pasuritë bujqësore.
Ajo njoftoi gjithashtu se nesër do të zhvillohet një mbledhje e Komitetit të Emergjencave, ku Kryeministri do të bëjë një adresim për masat urgjente dhe ndërhyrjet e nevojshme.
“U bëjmë thirrje qytetarëve të përgjigjen thirrjeve të Emergjencave Civile dhe të marrin masat e nevojshme për të shmangur rreziqet, pasi situata mund të agravojë,” tha ministrja Balluku.
Ajo shtoi se pritet një rënie graduale e nivelit të Vjosës, e cila është ndikuar edhe nga reshjet në Greqi, dhe situata do të monitorohet në orët dhe ditët në vijim.
“Kemi të gjithë angazhimin e duhur për mbrojtjen edhe për shpëtimin e gjësë së gjallë në këtë moment. Duhet të jeni në djeni se Kryeministri bashkë me Ministrinë e Financave është duke dizenjuar një paketë që do garantojë dëmshpërblimin si për pjesën bujqësore dhe banesat”, tha Balluku.
“Nesër në mëngjes, shtoi ajo, do ketë një mbledhje të komitetit të emergjencave ndërqeveritare, ku do të bëhet edhe një adresim nga kryeministri, jo vetëm për zgjidhjen e situatës, por edhe për përballimin e të gjithë kësaj situate por edhe për aspekte të tjera të rëndësishme që duhen bërë të ditura. Në këtë moment u bëj thirrje dhe u kërkojmë qytetarëve t’u përgjigjen thirrjeve të emergjencave civile”.
“Kemi shpresë për një rënie të nivelit të Vjosës që afektohet edhe nga reshjet në vendin tonë, por edhe në Greqi në këto momente, por shpresojmë që në orët e ardhshme do të përmirësohet situata”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja informoi se, sistemi energjetik ka funksionuar shumë mirë, pavarësisht kushteve të vështira të motit, pa ndërprerje të gjata të energjisë, qoftë nga linjat e transmetimit të OST, qoftë nga OSHEE.
Ndërsa theksoi se, gjatë 24 orëve të ardhshme priten erëra të fuqishme në disa zona, që mund të arrijnë deri në 17 m/s, ndërsa më vonë shpejtësia e erës pritet të arrijë deri në 25 m/s, teksa reshjet e borës kanë nisur në rajonet veriore dhe juglindore, duke krijuar një situatë kritike, ndaj ekipet janë në terren për ta përballuar atë.
Situata është e ndjeshme edhe për furnizimin me ujë; në Fier, katër pompa ndodhen nën ujë, por qyteti po furnizohet normalisht, dhe do të ketë vëmendje maksimale për menaxhimin e energjisë dhe ujësjellësve”, deklaroi ajo.
Ekipet e emergjencave dhe institucionet lokale vijojnë të jenë në terren për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e banorëve të prekur.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.