SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Basha: Kuvendi zgjodhi të ardhmen, demokratët në protestë u keqpërdorën

Kryetari i PD-së Luzim Basha deklaroi se me Kuvendin e 18 dhjetorit, PD ka vendosur të zgjedhë të ardhmen.

I ftuar në një emision televiziv, Basha shprehet “se të zgjedhësh të ardhmen do të thotë të shkëputesh nga ajo pjesë e së shkuarës që të mban në vendnumëro, të projektosh në emër të shqiptarëve ëndrrat e tyre më të mira”.

“Ka mënyra të ndryshme për ta distiluar Kuvendin, por mendoj që akti më i madh që ka bërë Kuvendi Kombëtar është që ka vendosur të zgjedhë të ardhmen. Të zgjedhësh të ardhmen do të thotë të shkëputesh nga ajo pjesë e të shkuarës që të mban në vendnumëro apo të tërheq pas në çdo kuptim, në mentalitet, në sjellje, në qasjen ndaj qytetarëve, në qasjen ndaj proceseve politike, në qasjen ndaj dinamikës politike qoftë brenda vetes, qoftë në raport me kundërshtarin politik, në qasjen ndaj medias, në qasjen ndaj të vërtetës. Të zgjedhësh të ardhmen do të thotë të projektosh në emër të shqiptarëve dhe për shqiptarët jo emëruesin më të ulët të përbashkët, por ëndrrat e tyre më të mira për këtë vend dhe t’i kthesh ato në një projekt politik dhe pastaj me besimin e shqiptarëve ta zbatosh atë projekt politik. Pa diskutim që pjesa sensacionale është vendimi që çdo person non grata nuk mund të jetë pjesë e organeve drejtuese, e institucioneve drejtuese të Partisë Demokratike”, u shpreh Basha.

Duke folur për protestën e sotme, organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, Basha u shpreh se “ata janë njerëz që s’e meritojnë të keqpërdoren. Kam përgjegjësinë për të bërë gjithçka që këta demokratë t’i kem në krah, në një betejë frontale bashkë me pjesën dërrmuese të shoqërisë”.

Basha tha se protestuesit ishin ndarë në dy pjesë, njëra që janë aty për interesa personale, e demokratët e thjeshtë që janë të dëshpëruar. Për këtë kategori, ai tha, se ndjen përgjegjësi.

“Në oborr kishte demokratë, jo thjesht njerëz të interesave të ngushta që e urrejnë dhe e kanë urryer Sali Berishën, e që i janë bashkuar për interesa të ndryshme. Aty kishte demokratë që i kam pasur në krah në beteja. Ti shohësh të keqpërdoren në funksion të interesave personale të një njeriu, qoftë ky Sali Berisha që ka dominuar PD këto vite, t’i shohësh të keqpërdoren ndjesia e parë teksa i shihja është një ndjesi dhimbjeje. Ata janë njerëz që s’e meritojnë të keqpërdoren. Ata po vuajnë gabime. Ata kanë dhënë shpirtin e tyre, jo për të marrë një vend pune, por për demokracinë, triumfin e saj, mbi 8 vite të një qeverisjeje që pak ka të bëjë me demokracinë e Shqipërisë. Ndjesia e parë është keqardhje kur sheh ata demokratë aq sa ishin të përdoren. Kam ndjenjën e përgjegjësisë për të bërë gjithçka që këta demokratë të mos i kesh të pashpresë, por t’i kem në krah, në krahun tim, në një betejë frontale, këtë herë me pjesën dërrmuese të shoqërisë. Me një betejë që s’ka të bëjë me karrierën time dhe hallin tim personal, por fatin e shqiptarëve”, tha Basha.

Basha u ndal te arrestimi i ish-ministrit Koka.

“Po të lexosh komunikimin e SPAK-ut për arrestimin e Kokës, në paragrafin e parë i referohen denoncimit të PD-së. E përshëndes këtë. Do ta çojnë deri në fund, apo do e lënë si çështjen e Tahirit. Se Koka ka vetëm mbiemrin ai, por është bishti i kësaj afere. SPAK nuk është një krijesë, është një numër individësh dhe duhet të tregojnë kurajo dhe profesionalizëm. Nuk i kam denigruar asnjëherë. Të bëjnë punën për të cilën paguhen. I kam bërë presionin që publiku ka dashur t’i bëhet. Kanë bërë një hap të parë. Hetoni korrupsionin, sepse çdo herë do të gjeni individë të tjerë që mund të kenë ose jo lidhje me politikën. Kjo ka qenë ftesa ime. Sot është momenti që patën kurajon për hapin e parë, do ju mbështesim pa kushte. Bëni punën tuaj” – tha Basha.

Basha u shpreh se pavarësisht përpjekjeve të Berishës kundër SHBA-së, realiteti është vetëm një, vendimi i amerikanëve për shpalljen non-grata.“Konteksti i ri nuk ndryshon asgjë në atë që janë fakte dhe jo opinione. SHBA ka folur qartë për arsyet që Berisha është shpallur nongrata. Procesi ka nisur në administratën Trump. Është shprehur qartë se kjuo është një punë e disa agjencive amerikane. Sikur kam folur me Escobar, që qëndrimi i PD-së është pacënueshmëria e integritetit territorial të Kosovës. Këtu mendoj se mbaron dhe kjo histori. Nuk ka dy realitete, ka vetëm një që nuk kemi mundësi ta ndikojmë. E kemi pranuar siç janë shpallur dhe ndaj kundërshtarëve tanë politikë. Ajo që kishim në dorë ishte vendimi që morëm. Kishim dy rrugë, ta çonim partinë në një parti non-grata, ose atë që vendosën 5004 delegeta në Kuvendin Kombëtar, ta çonim partinë drejt të ardhmes” – tha Basha. ///

error: