SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Basha: Lufta për interesa personale brenda PD-së, faturë e madhe për shqiptarët

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i pranishëm në Kuvendin zgjedhor të Partisë Demokratike, tha se Shqipëria vërtet ka buxhetin më të madh, por asgjë nuk pikon për qytetarët. Në fjalën e tij, Basha vuri theksin edhe tek largimi i shqiptarëve, të cilët janë për mbijetesë.

“Së pari, dua ta nis me një mirënjohje nga zemra që keni bërë në këto dy vite jashtëzakonisht të vështira. Dhe rikthehemi falë qëndresës tuaj, ndaj për këtë keni mirënjohjen e thellë jo vetëm timen, por të të gjithë shqiptarëve që presin ndryshimin për të dalë nga këtë gjendje të zezë ku ndodhen”, tha Basha.

“Mbi 500 mijë shqiptarë janë larguar duke marrë rrugën pa kthim. Këta bij nënash nuk largohen për luks, por për mbijetesë. Sot kemi dy Shqipëri, njëra ajo e ekraneve që mburret dhe trumbeton të dhëna që as hahen, as jetohen. Shumica tjetër janë ata që mallkojnë gjëmën më të madhe që mund t’i ndodhë një familje, largimin e bijve të tyre. Njerëzit mund të falin shumë gabime të rënda, por jo shkatërrimin e mijëra familjeve shqiptare”, vijoi Basha.

Për këtë ai vuri theksin tek taksat. “Janë taksat më të larta në rajon, është buxheti më i madh por që asgjë nuk pikon për qytetarët, për sipërmarrjet, për pensionistët, për shëndetësinë”, nënvizoi Basha.

“Lufta për interesa personale për dy vite brenda PD, ka ardhur me një faturë shumë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një pjesë prej nesh e ka përjetuar atë kohë kur Shqipëria nuk kishte opozitë. Ne nuk mund dhe nuk duhet të kthehemi në atë kohë. Tani që hetimet e SPAK po rrëzojnë njeri laps tjetrit, i janë turrur për ta sulmuar. Dhe kjo nuk është kohë për dilema, por për qëndrime të qarta: e mbështesim apo jo drejtësinë”, vijoi Basha. “Përballë kemi një kastë politikanësh që për 33 vite nuk kanë pyetur për ligjin. Ndaj, këta politikanë duhet t’i pyesim: Duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un? Tani që drejtësia ka nisur të veprojë, duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un? E kuptojmë Edi Ramën që është bërë pishman për drejtësinë e re. A nuk është kjo koha që opozita t’i qëndrojë në krah për të vënë para ligjit pandëshkueshmërinë. Si mund të jesh kundër drejtësisë, kur je kundër korrupsionit? PD e ka zgjidh këtë dilemë, 100 % në mbështetje të SPAK-ut dhe drejtësisë”, shtoi Basha.

Basha tha se mazhoranca nuk e do Reformën Zgjedhore.

“Ne e dimë se Edi Rama nuk e do Reformën Zgjedhore. Është treguar i sinqertë, e ka thënë, e dua kështu siç është. Dhe kështu siç është e mban po të dojë, shqiptarët nuk zgjedhin kandidatin që duan, barazi vote nuk do ketë, procesi është provuar në çdo raport që është problematik dhe e mban. Por kemi dikë tjetër që nuk e thotë, do apo nuk e do, por e bllokon procesin e Reformës Zgjedhore. Nuk është e njëjta gjë? Tjetri thotë nuk e dua, tjetri e bllokon Reformën Zgjedhore”, tha Basha.

“Me paturpësinë më të madhe, drejton gishtin nga PD. Janë në një mendje me Edi Ramën, duke e bllokuar tash një muaj komisionin e Reformës Zgjedhore, që mos të vijnë të dëgjohen shoqëria civile, institucionet vendore, institucionet ndërkombëtare, që të pyeten duhet apo s’duhen listat e hapura, barazia e votës, votimi elektronik dhe votën e emigrantëve”, shtoi Basha.“Kemi lindur si parti euroatlantike dhe do të qëndrojmë të tillë. Kemi lindur si parti properëndimore dhe do të qëndrojmë të tillë. Këtë keni bërë ju për dy vite. Këto dy vite kanë pasur anën e tyre të errët, por kanë pasur dhe anën e tyre të mirë, PD tashmë mund të jetë një ofertë për Shqipërinë. PD po harton një program me ekspertë vendas dhe të huaj, i cili do t’i vijë në ndihmë çdo shtrese të shoqërisë. Së dyti, ky që kemi nisur nuk është një proces formal, por po mëtojmë për të dalë me një program dhe me një ofertë për t’u kthyer në shpresë për shqiptarët”, vijoi Basha/ATSH.///

error: